“Kam pak lojtarë në dispozicion”, Troisi: E vështirë t’i motivoj futbollistët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2020 | 13:41

“Kam pak lojtarë në dispozicion”, Troisi: E vështirë t’i motivoj futbollistët

Marcelo Troisi e shikon tejet të vështirë takimin e sotëm me Kukësin. Për trajnerin brazilian të Flamurtarit, kundërshtari ka një ekip të fortë, ndërsa vlonjatët ranë matematikisht nga Kategoria Superiore pasi nuk kanë bërë aspak mirë gjatë kampionatit.
troisi
“Është një ndeshje shumë e vështirë me Kukësin. Kundërshtari ka një skuadër shumë të mirë dhe ne shkojmë drejt Elbasanit në këtë ndeshje për të dhënë maksimumin. Në fakt, nuk jemi në një situatë të mirë përpara kësaj sfide. Kemi mungesa nga dëmtimet dhe nga kartonët. Në këto kushte unë kam pak lojtarë në dispozicion për këtë ndeshje, por besoj dhe e them me bindje se nesër (sot) do të jemi të fortë në këtë sfidë. Flamurtari do të shkojë në Kategorinë e Parë dhe kjo për shkak të lojës jo të mirë. Por gjithsesi nuk është problem për mua, pasi unë besoj tek ekipi im edhe pse jemi në një situatë tepër të vështirë. Unë i shikoj përgatitjet çdo ditë dhe them se avash-avash ekipi do të luajë edhe më mirë edhe pse kjo është e vështirë”, tha fillimisht Troisi.
PROBLEMATIKA – Trajneri Marcelo Troisi u druhet penalltive apo penalizimeve që jepen kundër skuadrës së tij.

“Është një situatë e vështirë kjo që po kalojmë, pasi lojtarët e Flamurtarit kanë rënë shumë psikologjikisht. Ndonjëherë duhet të flasësh me lojtarët, t’i bësh ata që të besojnë te vetja për të dhënë maksimumin. Është pak e ndërlikuar sepse ti luan mirë për 70 minuta dhe më pas kundërshtari të shënon një gol dhe psikologjia e tij bie menjëherë në ndeshje. Kështu që ky është problem i ekipit tim. Janë lojtarë të rinj dhe unë nuk mund të bëj dot më shumë. Unë punoj me lojtarët çdo ditë dhe madje flas me ta në çdo seancë. Edhe përpara kësaj ndeshjeje u kam kërkuar më shumë besim te vetja. Kam bindjen se këshillat që u kam dhënë do t’i zbatojnë drejt në ndeshjen me Kukësin”, u shpreh braziliani.

troisi 1
VAZHDIMËSIA – Marcelo Troisi e shikon të vështirë vazhdimësinë.

“E dimë të gjithë që nuk do të jenë aspak të lehta javët e mbetura. Por, ne do të japim maksimumin deri në fund për të bërë më të mirën. Do të respektojmë garën si dhe fanellën tonë. Kjo është ajo që do të bëjmë të gjithë bashkë dhe secili i di fare mirë detyrat e tij”, përfundoi Troisi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"