“Kam marrë disa oferta tunduese, por nuk largohem”, bomberi Danaj i premton besnikëri lezhjanëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2022 | 22:25

“Kam marrë disa oferta tunduese, por nuk largohem”, bomberi Danaj i premton besnikëri lezhjanëve

Besëlidhjes i kanë mbetur më pak se dy javë pushime. Faza përgatitore pritet që të nisë javën e tretë të muajt në vijim dhe deri në atë moment, drejtuesit do të bëjnë çmos që të kompletojnë organikën. Bisedimet me futbollistë që do të ofrohen për llogari të merkatos verore vijojnë, por ende nuk kanë bindur asnjë. Përveç tre serbëve, e gjithë organika e sezonit të kaluar do të jetë e pranishme që ditën e parë të grumbullimit.

Ruben dhe Redon

Në këtë listë mund të përfshihet sigurisht edhe sulmuesi 27-vjeçar Ruben Danaj. Ai e ka ndarë mendjen për të qëndruar në Lezhë dhe këtë e thotë troç gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”:

“Edhe për sezonin e ri do të mbaj veshur fanellën e Besëlidhjes, për këtë jam i vendosur. Kam pasur dhe vijoj të kem shumë oferta, madje ndonjë edhe tunduese, por dua që të mbetem pjesë e ekipit ku jam rritur e formuar si futbollist. Me ardhjen e Dinamos, Flamurtarit dhe Skënderbeut në Kategorinë e Parë, gara do të jetë e ashpër. Bëhet fjalë për klube elitare dhe me një lum trofesh. Pra, sezonin e ri, lufta për dy vendet e para do të jetë shumë e fortë. Kjo pasi të paktën dhjetë ekipe do të luftojnë realisht për t’u rikthyer në elitë. Duke parë këtë cilësi, duhet të marrim masat.

Vend për frikë nuk ka, madje kjo na motivon. Na kënaq ideja që do të ndeshemi me fanella të rënda të futbollit shqiptar. Nga ana tjetër, kjo detyron klubin që të përforcojë organikën tonë. Është premtuar se do të ketë afrime cilësore në kuadër të merkatos verore, gjë që do t’i mundësonte Besëlidhjes që të përballojë me sukses kampionatin. Pozitive është se baza e ekipit është ngritur, madje me një cilësi që i përgjigjet kohës. Ky bosht nëse mbahet me elementë cilësorë, do t’i japë mundësi ekipit që të renditet mes pretendenteve”.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"