“Kam marrë disa oferta dhe vështirë se do vazhdoj më te Lushnja”, titullari mediton largimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2020 | 11:22

“Kam marrë disa oferta dhe vështirë se do vazhdoj më te Lushnja”, titullari mediton largimin

Futbollistët që mbyllën sezonin e fundit me Lushnjën vazhdojnë të jenë me pushime dhe ende nuk dihet se cilët prej tyre do të vazhdojnë të luajnë në “Roza Haxhiu” në vazhdim. Kontratat u kanë përfunduar të gjithëve dhe sigurisht që të gjithë po shohin ofertat e momentit, në pritje edhe të një sinjali nga klubi verdhejeshil. Drejtuesit e Lushnjës e kanë bërë traditë tashmë që firmosin kontrata njëvjeçare gjatë verës dhe kështu çdo vit janë të detyruar të nisin gjithçka nga e para, me kontrata të reja.

apolonia-lushnja

FONDI I NJËJTË – Nga Bashkia e Lushnjës mësohet se do të vijojë i njëjtë trajtimi financiar për futbollistët, ashtu si sezonin e fundit. Të ardhurat e 25 futbollistëve, që është edhe limiti i përcaktuar nga FSHF-ja, janë të paracaktuara me vendim të Këshillit Bashkiak që kryen njëherësh edhe funksionin e asamblesë së klubit të futbollit. Fondi është i konsiderueshëm, rreth 500 milionë lekë (të vjetër) për një sezon dhe financiarisht futbollistët janë të kënaqur, megjithatë duhet pritur për të parë se cilët prej tyre do të rinovojnë dhe cilët do të zgjedhin një skuadër të re për sezonin e ri.

MAGANI – Futbollisti i linjës së djathtë, Endrien Magani, një nga titullarët e sezonit të fundit, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, shprehet se ka pak mundësi të qëndrojë. “Pas një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm, që unë e mbylla para kohe, sepse u dëmtova në ndeshjen me Apoloninë, kam pushuar disa ditë në Sarandë.

erzeni lushnja

Kam pasur oferta, disa nga skuadra të Kategorisë së Parë dhe një nga Superiorja, por emrat nuk mund t’i them, sepse dua të jem korrekt dhe duhet të flas më gjatë për këtë pjesë. Për sa i përket Lushnjës, është e vështirë për të rinovuar”, është shprehur mbrojtësi 29-vjeçar, duke lënë pak shanse qëndrimi me fanellën verdhejeshile për kampionatin e ardhshëm. Klubi lushnjar ende nuk ka hedhur hapat e para në lidhje me riorganizimin për sezonin e ri dhe nuk përjashtohet mundësi për largime të tjera.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"