“Kam kaluar muaj të vështirë”, operohet në gju futbollisti i Skënderbeut: Do jem gati për të ngjitur ekipin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2022 | 23:27

“Kam kaluar muaj të vështirë”, operohet në gju futbollisti i Skënderbeut: Do jem gati për të ngjitur ekipin

Ardit Nikaj kryen me sukses operacionin, pas dëmtimit të rëndë që pësoi muaj më parë në gju. Tani sulmuesi pret me padurim rikthimin në fushë për të dhënë kontributin e tij te Skënderbeu. Pas terapisë dhe ushtrimeve, shkodrani e kishte të pashmangshme ndërhyrjen në menisk dhe ligamentin e kryqëzuar.

ardit nikaj

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, 20-vjeçari tregon vështirësitë që ka kaluar këto kohë. “Kanë qenë muaj shumë të vështirë për mua, por për fat të mirë, gjithçka rezultoi me sukses sa i takon operacionit. Jam në ditët e para pas ndërhyrjes në gju dhe kam filluar ecje graduale me ndihmën e patericave, deri sa të mundem të filloj terapinë riaftësuese të plotë.

Për fat të mirë, operacioni doli me sukses dhe për këtë u jam falënderues mjekëve që bënë një punë të mirë pasi dëmtimi ishte i rëndë. Ka qenë një periudhë e vështirë, sepse veç problemeve me gjurin, kisha edhe ankthin e pozicionit të skuadrës. Më vjen shumë keq që nuk ia dolëm dot të arrinim objektivin dhe që nuk isha pranë skuadrës për të dhënë kontributin tim. Megjithatë, jam besimplotë se gjithçka do të kalojë shpejt dhe do të rikthehemi po atje ku ishim më të fortë”, theksoi fillimisht Nikaj. E

ARDHMJA – Shkodrani është i bindur se rreth fundit të muajit shtator do të rikthehet me ekipin normalisht për të vijuar përgatitjet dhe në tetor të jetë gati për të dhënë kontributin e tij në skuadër. Ai tregon se ka ende kontratë me Skënderbeun dhe pret që të bashkohet sa më shpejt me grupin.

“Unë jam në kontratë me Skënderbeun dhe do të jem bashkë me ekipin në këtë sezon për të tentuar ringritjen. Shpresoj që të bëhet një punë e mirë për ndërtimin e skuadrës dhe të kemi mundësi të ndërtojmë një grup konkurrues. Kategoria e Parë këtë sezon do të jetë shumë e vështirë pasi ka emra të mëdhenj ekipesh. Por do të tentojmë ringritjen. Besoj që me një ecuri të mirë rikuperuese për tre muaj do të jem pranë ekipit për të dhënë kontributin tim”, përfundoi sulmuesi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"