“Kam çuar në FIFA një tjetër brazilian, do të bëjmë afrime”, Sinan Idrizi: Oliveirën s’e mbaja dot, i mbaroi kontrata

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2021 | 22:38

“Kam çuar në FIFA një tjetër brazilian, do të bëjmë afrime”, Sinan Idrizi: Oliveirën s’e mbaja dot, i mbaroi kontrata

Sinan Idrizi reagon për largimin e Odaildo Souza de Oliveira. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, administratori tha se brazilianit i përfundoi kontrata. Sipas kreut të klubit vlonjat, kërkesat e mesfushorit ishin të papërballueshme dhe ai nuk mund të bënte disbalanca me pagat e lojtarëve vendës.

Sinan-Idrizi

“Oliveirës i mbaroi kontrata me Flamurtarin. Ai kishte disa kushte që unë nuk ia plotësoja dot. Po të jetë se ia plotëson Oriku ato kushte që kishte, unë i përgëzoj drejtuesit në Orikum. Unë nuk mundem që të bëj disbalancë mes lojtarëve të huaj dhe lojtarëve vlonjatë. Jo, nuk mundem. I trajtoj të gjithë njësoj. Ka limite.

Nuk mundet që unë të bëj të tilla ndasi. Pra, Oliveira nuk u largua. I përfundoi kontrata me Flamurtarin. Ai ishte djalë i mirë dhe korrekt”, tha fillimisht Idrizi, ndërsa konfirmoi se ka çuar në FIFA një tjetër brazilian. Bëhet fjalë për Karlos Henrike Ramos, që sipas tij, ka ikur në fillim të dhjetorit pa leje.

“Me Ramosin jemi në FIFA. Po presim kur të vijë radha e shqyrtimit të çështjes. Në fillim të muajit dhjetor ai ka ikur dhe nuk ka njoftuar klubin se ku ndodhej. Luajti vetëm pesë ndeshje me ne, por unë them se ia ka mbushur mendjen ndonjë që e njeh dhe që ka qenë te ne dhe do ta çojë te ndonjë ekip tjetër”, u shpreh administratori. U ndal edhe te merkatoja, ndërsa ka shpresë për zhbllokimin e saj. Administratori tha se klubi është në kontakte me dy lojtarë të tjerë. “Klubi vazhdon punën për përforcimin e ekipit.

Siç e keni parë, kemi marrë një lojtar brazilian, por presim edhe dy të tjerë me të cilët jemi në bisedime. Kemi kontakte edhe me lojtarë që më parë kanë qenë te Flamurtari dhe që duan të rikthehen. Po shohim lojtarë shqiptarë, por edhe ndonjë element të huaj. Nuk ka asnjë dyshim që boshti do të jetë me lojtarë vlonjatë të akademisë. Ne kemi shumë besim që ata do të rriten dhe se po bëjnë mjaft mirë dhe do të jenë e ardhmja e Flamurtarit. Besoj javën tjetër do të kemi lajme të mira. Prisni dhe shikoni”, përfundoi Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"