Kaloshi rikthehet te Tomori, prish kontratën me Lirinë e Prizrenit pak ditë pas firmës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2017 | 13:29

Kaloshi rikthehet te Tomori, prish kontratën me Lirinë e Prizrenit pak ditë pas firmës

Tomori ka zyrtarizuar rikthimin e portierit 24-vjeçar Mikel Kaloshi, i cili është prezantuar paraditen e djeshme nën shoqërinë e drejtorit sportiv, Albano Ziu. Disa ditë më parë, futbollisti në fjalë arriti marrëveshjen me skuadrën e Lirisë së Prizrenit, e cila aktualisht drejtohet nga ish-futbollisti i njohur, Bledi Shkëmbi.

mikel kaloshi

E kur çdo gjë ishte zyrtare dhe pritej debutimi i tij, ka ndodhur krejt e kundërta sepse gjërat nuk kanë shkuar aspak në mënyrën që pritej dhe eksperienca e tij është mbyllur ende pa nisur. Gardiani lushnjar ka prishur kontratën e bërë vetëm në pak ditë, teksa gjithçka mësohet të ketë ardhur për arsye personale dhe familjare.

Kjo gjë e ka detyruar Kaloshin që t’i rikthehet sërish kampionatit tonë. Tomori ka qenë një ndër alternativat kryesore për të, për faktin se oferta e bërë ishte tepër tunduese dhe me një projekt serioz për edicionin që do të nisë.

KALOSHI

Në një prononcim për “Panorama Sport”, portieri Mikel Kaloshi është shprehur i kënaqur nga zgjedhja e bërë. Edhe pse ofertat kanë qenë të shumta, përsëri 24-vjeçari vendosi që të rikthehet te beratasit.

“Më vjen shumë mirë që arrita të bëj zgjedhjen e duhur, duke iu rikthyer sërish Tomorit mes ofertave të shumta që më erdhën nga kampionati ynë. Jam i lumtur për vazhdimësinë e karrierës sime këtu, pasi gjithnjë e kam thënë që ky klub ka tradita dhe histori, por mbi të gjitha edhe punën shembullore që bëhet.

Me ekipin e Lirisë së Prizrenit nuk shkuan gjërat ashtu siç priteshin, pasi më detyruan disa arsye personale dhe familjare. Megjithatë, është koha që të flasim për Tomorin dhe mos t’i rikthehemi shumë asaj çka ka ndodhur.

Mbajtja e një pjese të mirë të lojtarëve nga grupi i vjetshëm dhe disa lëvizje të mira në merkato, mendoj se e kanë përforcuar skuadrën dhe pritet të jetë shumë herë më e fortë nga sezoni i vjetshëm. Priten afrime të tjera dhe mund të them me bindjen e plotë se do të jemi pretendentët kryesor të kësaj kategorie”, tha Kaloshi.

MIQËSORJA

Bylis dhe Tomori do të zhvillojnë sot miqësoren e parë në kuadrin e fazës përgatitore, teksa të dy trajnerët pritet të shohin nga afër gjendjen e lojtarëve dhe punën e bërë deri në këto momente. Ky takim do të luhet sot në orën 18:00 në stadiumin “Adush Muça” të qytetit të Ballshit, ku pritet të ketë edhe të pranishëm nga qyteti i Beratit për të ndjekur skuadrën e tyre të zemrës. Skuadra ka nisur prej disa ditësh seancat stërvitore.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"