Kaloshi “kërcënon” Besën para startit të kampionatit: Po përgatitemi për një nisje pretendentësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2020 | 0:16

Kaloshi “kërcënon” Besën para startit të kampionatit: Po përgatitemi për një nisje pretendentësh

Pas pushimit në fundjavë, lushnjarët dolën sërish në terrenin stërvitor duke vazhduar përgatitjet për startin e sezonit të ri. Trajneri Ilir Gjyla e ka thënë shpesh se e shqetëson jo pak mungesa e një date zyrtare për nisjen e kampionatit, pasi nuk di çfarë llogarie të bëjë me skuadrën, ndërsa sektori i garave në FSHF nuk do t’ia dijë për këtë problem.

PARTIZANI LUSHNJA

Lushnja ka 9 javë që stërvitet dhe gjatë kësaj periudhe ka zhvilluar një minifazë përgatitore në qytetin e Përmetit, ka luajtur edhe 9 ndeshje miqësore. Këto ndeshje kanë shërbyer për njohjen e lojtarëve mes tyre dhe lidhjen e reparteve, duke e ditur që Lushnja këtë sezon është bërë gati nga e para. Nuk ka ende një datë zyrtare për fillimin e kampionatit dhe lushnjarët dinë vetëm që ndeshjen e parë e kanë në shtëpi, ku do të presin Besën.

KALOSHI – Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, portieri Ariol Kaloshi shprehet se Lushnja do t’i tregojë pretendimet që në fillim.

“Mendoj se ekipi ka punuar mirë gjatë kësaj periudhe. Kemi qenë të vëmendshëm dhe të im penjuar në stërvitje dhe në ndeshjet miqësore. Ka shumë dëshirë për të bërë dhe për të dhënë më të mirën nga ana e lojtarëve. Jemi njohur sipas radhës me kundërshtarët dhe do të kemi një start të fortë, pasi presim Besën në shtëpi.

Kaloshi

Një kundërshtar, me të cilin kemi zhvilluar edhe dy ndeshje miqësore, ndaj dhe po përgatitemi për një nisje pretendentësh”, theksoi Kaloshi. Portieri 21-vjeçar ka qenë pjesë e Besës tre sezone më parë. Lushnja është e plotë aktualisht, ku mungesa e vetme është ajo e fierakut Arbër Mone, i cili ka pësuar një dëmtim në shpatull dhe do të mungojë edhe për shumë javë.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"