“Kalojmë çdo pengesë”, Longo: Jemi tri finale larg ngjitjes, por fillimisht të likuidojmë Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2023 | 14:48

“Kalojmë çdo pengesë”, Longo: Jemi tri finale larg ngjitjes, por fillimisht të likuidojmë Apoloninë

Flamurtari është tri ndeshje larg elitës. Pasi u mbyll kampionati i rregullt, për kuqezinjtë nis rruga më e vështirë. Finalja e parë e fazës “play off” është me Apoloninë, kundërshtar që e përmbysën me shifrat 3-1 të enjten.

longo

Patën shansin që ta njihnin më mirë dhe ky është një tjetër bonus, veç avantazhit të fushës dhe barazimit. I bindur për realizmin e misionit “Superiore” është edhe Diego Longo. Ai beson se do të kalojnë çdo pengesë dhe në fund do të jenë ata që do të militojnë në mesin e më të mirëve. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri vlerëson paraqitjen e ekipit në javën e 26-të. Italiani e pranon që ka ende problematika të vogla, por ajo që i jep shpresë është diçka tjetër. Më në fund skuadra po i përgjigjet filozofisë së tij…

Nga Apolonia tek Apolonia. E prisnit që do të ishte ky kundërshtari i parë në fazën “play off”?
Po, është e vërtetë, do të përballemi me Apoloninë. Ndeshje që do të luhet në Vlorë. Për mua nuk kishte rëndësi se cila do të ishte skuadra. I vlerësoj njësoj dhe maksimalisht të gjitha ekipet që kapën fazën “play off”.

Çfarë kërkoni nga ndeshjet e “play off”-it?
Natyrisht që janë shumë të rëndësishme. Falë këtij rrugëtimi kapet elita. Janë të gjitha finale dhe e para është me Apoloninë. Kështu që do ta vlerësojmë shumë dhe përgatitemi me përkushtimin maksimal. Është një finale, kaq mund të them…

Të kthehemi pak te ndeshja e së enjtes. I kënaqur nga paraqitja e skuadrës?
Po, po, patjetër. Jam i kënaqur nga skuadra. Më kënaqi ndeshja si në lojë ashtu edhe në rezultat. Shënuam gola dhe kishim mundësi edhe për të tjerë. Skuadra e ka implementuar idenë time. Për mua kjo ka shumë rëndësi. Ka disa problematika të vogla, që do t’i përmirësojmë në vazhdim. Në përgjithësi jam i kënaqur nga skuadra.

A po i përgjigjet ekipi filozofisë suaj?
Kam dy muaj që po punoj me këtë skuadër dhe me këta djem. Duket qartë qe ekipi po më përshtatet dhe po i përgjigjet filozofisë sime. Kam besim te një paraqitje dinjitoze në ndeshjet e “play off”-it.

Jeni më i qetë tani?
Në fakt unë i qetë kam qenë gjithmonë. Por tani jam edhe më shumë i qetë.

Sheh elementë premtues te Flamurtari për të ardhmen?
Në fakt kemi pasur mundësi që të bëjmë ndryshime në skuadër. Për ndeshjen me Apoloninë grumbullova dy lojtarë nga ekipi U-19. Njërin prej tyre, Lleshin, e aktivizova. Jam i kënaqur nga ajo se çfarë dha ai në fushën e lojës. Përgëzoj edhe trajnerin e ekipit të të rinjve të Flamurtarit për punën e bërë. Sa i ka shanset skuadra për t’u ngjitur në Superiore? Javën që vjen do të kemi ndeshjen e parë të “play off”- it, një ndeshje finale për ne. Shpresojmë që të jemi në Superiore. Për këtë po punojmë të gjithë. I kemi të gjitha mundësitë për të realizuar objektivin tonë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"