Kaloi me sukses operacionin në gju, Teuta optimiste për Xheksonin. Ja kur kthehet në fushë braziliani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2022 | 19:52

Kaloi me sukses operacionin në gju, Teuta optimiste për Xheksonin. Ja kur kthehet në fushë braziliani

Mbrojtësi Xhekson Ferreira e kaloi me sukses operacion në gju, ku ndërhyrja ishte e detyrueshme pas dëmtimit që braziliani mori në një ndeshje ndaj Kukësit në fund të vitit 2021.

XHEKSON 1

Mjekëve specialistë iu deshën rreth 1 orë kohë për të operuar gjurin e majtë të 31- vjeçarit, por në fund të gjithë ishin të lumtur për mbarëvajtjen e ndërhyrjes.

Tashmë mbrojtësi i Teutës ka nisur fazën e rehabilitimit, për t’iu kthyer sa më shpejt fushave të blerta, ndoshta në fund të 2022-shit. Pas një ndërhyrje të tillë lojtarëve zakonisht u duhen 4-5 muaj për të qenë gati për ndeshjet zyrtare, por stafi mjekësor i Teutës, pikërisht Ervin Shembitraku, është optimist për kapërcimin e etapave pasi po merret posaçërisht me Xheksonin.

Në fillim u dyshua se në gjurin e brazilianit do të kishte dëmtime të tjera, përveç problemit me kartilagun krucial të brendshëm, por gjatë ndërhyrjes u pa qartë se gjithçka tjetër ishte “ok”.

Xhekson pritet të nisë vrapimin në muajin shtator, ndërsa koha e aktivizimit në ndeshjet zyrtare do të varet nga reagimi i gjurit të tij. Drejtuesit e Teutës do të vlerësojnë nëse duhet të afrojnë një mbrojtës, pasi në këtë rol është vetëm Kotobelli, i cili duhet të këtë një alternativë derisa të bëhet gati Xhekson.

JAVA NË VAZHDIM- Teuta po shijon pushimet e fundit, pasi më 4 korrik pritet që ekipi të grumbullohet dhe të nisë përgatitjet për sezonin e ri. Deri tani lojtarët kanë punuar me program individual, sipas planit të udhëzuar nga stafi teknik pas përfundimit të sezonit të shkuar.

Synohet që përgatitjet të nisin më herët, në mënyrë që Teuta të ketë një formë sa më optimale në nisjen e kampionatit për të marrë rezultate pozitive. Sezonin e fundit blutë nuk e mbyllën mirë për shkak të shumë luhatjeve dhe ndërhyrjeve në tapetin e stadiumit, ku shumë ndeshje i luajtën në fushë asnjanëse.

Sa i përket fazës intensive, ende nuk është vendosur se ku do të kryhet. Drejtuesit vijojnë bisedat me futbollistë nga tregu vendas dhe i huaj dhe në ditët në vijim pritet të bëhen zyrtarizimet e para.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"