Kalluci: Trajnerët e huaj janë dështim, Luftëtari goditi me Hasan Likën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2017 | 21:05

Kalluci: Trajnerët e huaj janë dështim, Luftëtari goditi me Hasan Likën

Theodhori Kalluci, një nga legjendat e gjalla të futbollit shqiptar të viteve ’70-’80, njëherazi edhe “Mjeshtër Sporti”, mendon se trajnerët e huaj e kanë shumë të vështirë të përshtaten në Kategorinë Superiore. Në një bisedë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi i famshëm flet për situatën te Luftëtari, ku në këtë sezon skuadra pati probleme në pankinën me dyshen uruguaiane: Daniel Fernandez dhe Luis Kurbelo.

Kalluci

Sipas Kallucit, Luftëtarit i shkonte më shumë për shtat një emër njohur i futbollit shqiptar siç është Hasan Lika. “Eksperienca jo vetëm te Luftëtari, por e shtrirë edhe më gjerë në futbollin shqiptar, ka treguar se jo të gjithë trajnerët e ardhur nga jashtë vendit kanë rezultuar të suksesshëm. Aktualisht, edhe Anceloti të vinte në Gjirokastër, s’mund të bënte më shumë se çfarë ka bërë Luftëtari i fazës së parë. Trajnerët e huaj kërkojnë të reklamohen në futbollin europian, në rastin konkret në Shqipëri, pa pasur asnjë farë njohje me futbollin e luajtur këtu.

Tashmë, mendoj se Luftëtari me afrimin e trjanerit Hasan Lika ka bërë zgjedhjen e duhur. Lika është njohës i mirë i futbollit tonë, i sprovuar dhe rezultativ. Duke njohur mirë kampionatin dhe lojtarët, kjo ia bën edhe më të lehtë. Në ndeshjen e fundit me Lushnjën, edhe pse loja nuk shkonte mirë, Lika ndërhynte dhe u kërkonte lojtarëve zbatim të detyrave me fanatizëm.

lika hasan

Nëse do të ishte një trajner i huaj, duhej një deshifrues në gjuhën e futbollit. Me Likën gjithçka është e lehtë për t’u përvetësuar. Hasani u ka gjetur vendin e duhur lojtarëve, aty ku gjithsecili jep më të mirën e mundshme”, ka thënë fillimisht Kalluci.

Ish-sulmuesi është optimist për ecurinë e Luftëtarit në pjesën e dytë të sezonit. “Jam i bindur se Luftëtari do të dijë të shfaqet i suksesshëm. Kur të gjithë ingranazhet e një makinerie funksionojnë si trup i vetëm, edhe produkti në mbyllje të procesit është pozitiv. Këtë duhet të bëjë dhe trajneri Lika. Dy ndeshjet e fundit ishin krejt ndryshe nga të mëparshmet.

Luftëtari është më shumë sulmues dhe jo mbrojtës me Likën. Por, që një skuadër të jetë rezultative, duhet të gjejë golin. Lamçja është sulmues tipik, por nuk ka shënuar duke pasur një ngërç. Me zhbllokimin e tij, edhe skuadra do ta ketë më të lehtë. Një tjetër fitore ndaj Teutës do të ndryshonte imazhin e Luftëtarit”, ka përfunduar Kalluci.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"