Kalluci shkund Luftëtarin: Kamza na ka prishur sezonin, u munduan të na “varrosnin” në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2018 | 21:56

Kalluci shkund Luftëtarin: Kamza na ka prishur sezonin, u munduan të na “varrosnin” në shtëpi

Luftëtari i trajnerit Hasan Lika do të përballet nesër në shtëpi me Kamzën në kuadër të javës së 23 -të, me objektiv vazhdimësinë e ecurisë së dhjetë javëve të fundit. Ish-futbollisti i njohur gjirokastrit, Theodhori Kalluci, ndeshjen e nesërme me Kamzën e sheh si një mundësi “të artë” në rrugën drejt Europës, por bën apel edhe për kujdes në këtë sfidë.

“Kamza, kurrsesi s’mund të konsiderohet skuadra surprizë e kampionatit. Me rezultatet e arritura deri tani në kampionat, jo pa meritë, pozicionohet mes më të mirave të Kategorisë Superiore. Ata munduan të na “varrosnin” në shtëpi në fazën e parë, nga ai gol që është fiksuar në memorien e të gjithëve. Fitorja 0-1 në Kamzë, në limitet e ndeshjes, i jep të drejtë Luftë- tarit për të synuar edhe nesër rezultatin pozitiv, me të cilin nënkuptoj trepikëshin. Duhet kujdes se Kamza mund të na prishë sezonin”, u shpreh Kalluci për “Panorama Sport”.

Kalluci

OLTION RRAPA- Mbrojtësi Rrapa i mungoi Luftëtarit në fitoren 0-1 në Vlorë për arsye dëmtimi. Por në seancën e djeshme, Oltion Rrapa është përgatitur së bashku me grupin, kështu që mbrojtësi e ka hedhur pas krahëve dëmtimin e katër javëve të shkuara. “E kam kaluar dëmtimin e javëve të fundit dhe jam i gatshëm për Kamzën. Nëse do të jem në fushë, do të jap maksimumin tim, gjë që besoj se kam shprehur përmes karakterit tim me Luftëtarin”, u shpreh Rrapa për “Panorama Sport”.

PËRGATITJET– Në drejtimin e trajnerit Lika, skuadra ka vijuar dje përgatitjet për ndeshjen me Kamzën, me objektiv të vetëm marrjen e rezultatit pozitiv. Nën kureshtjen e më shumë së 100 tifozëve në “Fushën e Vjetër”, trajneri Hasan Lika, teksa ka falënderuar edhe njëherë të gjithë lojtarët për fitoren 1-0 të arritur ndaj Flamurtarit, nuk ka vonuar të ndajë 24 futbollistët në katër mini-skuadra për të vijuar më tej me goditjet drejt portës.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"