Kalendar i egër, Teuta kërkon të distancohet nga “play out”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2022 | 15:20

Kalendar i egër, Teuta kërkon të distancohet nga “play out”

Teutën e pret një kalendar i vështirë në sprintin final. Të eliminuar nga Kupa dhe të dalë nga objektivi në kampionat, tashmë sikleti i durrsakëve është të shmangin zonën “play out”, pikërisht vendin e tetë që të çon në një ndeshje shtesë për qëndrimin në Superiore.

Hebaj Teuta

Skuadra e Renato Arapit po lëkundet në rezultate, duke mos gjetur qetësi dhe humbur shumë në renditje. Me dy pikë më shumë nga Egnatia dhe katër më pak se Kastrioti, “djemtë e detit” kanë përpara një takim delikat ndaj Dinamos, ku minimalisht nuk duhet të humbasin.

Rikthimi në shtëpi nuk e ka ndihmuar skuadrën të “vrapojë” në sprintin final, sepse në tri ndeshje në Durrës, Teuta nuk ka arritur të shijojë fitoren, duke humbur me Laçin në Kupë dhe barazuar në kampionat ndaj Skënderbeut dhe Vllaznisë.

Por, kjo e diel e vendos ekipin e Arapit në një transfertë delikate, teksa luan në “Elbasan Arena” me Dinamon, që po provon shanset e fundit në luftën për mbijetesë.

Kampionët në fuqi të Shqipërisë kanë pësuar plot 12 humbje, aq sa për dy sezonet e fundit bashkë. Misioni i vetëm që ka mbetur tashmë është të shmangë telashet e vendit të tetë, por kalendarin nuk e ka në favor.

SITUATA

Pas ndeshjes me blutë, e pret sfida me Kukësin në shtëpi, që do të pasohet nga transferta me Tiranën dhe në fund katër ekipe që janë në garë për objektiva të ndryshëm, si: Egnatia, Kastrioti, Laçi dhe Skënderbeu.

Fakti që do të përballet me ekipe që ende nuk kanë mbyllur llogaritë matematikisht me objektivat e tyre, me përjashtim të bardhebluve që po shkojnë drejt titullit, e bën edhe më të vështirë situatën.

Në Durrës shpresojnë që deri në përballjen direkte me Egnatian të jenë të distancuar me pikë. Ndërkohë, stërvitja e djeshme u fokusua tek ana taktike.

Dilema e vetme në takimin e së dielës është mesfushori Jahmir Hyka, i cili pësoi një dëmtim në sfidën e fundit.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"