Kalendar “ferri” për Teutën, Shkëmbi merr masa para… malores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2019 | 13:21

Kalendar “ferri” për Teutën, Shkëmbi merr masa para… malores

Teuta e ka nisur mbarë sezonin, e megjithatë vend për qetësi nuk ka. Me rinisjen e kampionatit, e pret “malore” e vërtetë. Këtë herë nuk ka lidhje me ngjeshjen, por me kundërshtarët. Pas Vllaznisë, me radhë do të përballen me Skënderbeun, Kukësin dhe Partizanin.

Teuta-Bylis

Të vendosur para këtij kalendari, të besuarit e Bledi Shkëmbit po punojnë maksimalisht për ta nisur mbarë minimalisht “turin e forcës”. Shkodranët vijnë në një moment delikat, ndaj në kampin durrsak e vlerësojnë maksimalisht këtë sfidë për të shmangur çdo hap fals që mund të zhbënte këtë start perfekt. Në fushën stërvitore në “Olympic Park”, skuadra iu nënshtrua ritmit të plotë dhe dukshëm trajneri u shfaq më kërkues. Numri 1 i stolit të Teutës u tregua i vëmendshëm në çdo detaj, duke korrigjuar gabimet e lojtarëve të tij.

teutaa

“Djemtë e detit” kanë shtuar dozën, pasi dje kryen dy seanca. Gjatë pasdites zhvilluar edhe një minindeshje për rreth 20 minuta, për të vlerësuar ekipin në situata të ndryshme taktike. Atmosfera është e duhura, ndërsa të vetmit futbollistë që nuk janë stërvitur me grupin ishin Fabian Beqja dhe Sherif Kallaku.

I pari vuan shqetësimet me kaviljen prej ditësh dhe po ndjek me përparësi gjendjen e tij në klinikat më të specializuara të vendit. Ndaj, për të mos e ngarkuar po përgatitet me ritëm të ulët. Ndërsa i dyti po zhvillon stërvitje me plan individual për të kapur ritmin e përgatitjeve të grupit. Gjithsesi, deri të shtunën në “Niko Dovana” mund të ndryshojnë shumë gjëra, pasi Teuta do të punojë edhe gjatë javës së ardhshme për të përgatitur në çdo detaj duelin e radhës.

MIQËSORE

Këtë periudhë pauze, trajneri Bledi Shkëmbi po e shfrytëzon maksimalisht për të riaftësuar grupin pas një kalendari të ngjeshur. Por, në të njëjtën kohë për të mos ulur ritmin, ka menduar që të mbushë axhendën me një miqësorë. Dhe, pikërisht sot, ekipi do të udhëtojë drejt Rrogozhinës për t’u përballur me Egnatian vendëse. Takimi starton në orën 16:30 dhe luhet në stadiumin “Hasan Zyla”.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"