Kalendar “ferri” për durrsakët, Teuta në provën e së vërtetës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2019 | 21:25

Kalendar “ferri” për durrsakët, Teuta në provën e së vërtetës

Kukësi-Teuta është gjithmonë një ndeshje me emocione dhe rezultate të paparashikueshme, qoftë kur është luajtur në Durrës, e gjithashtu në “Zeqir Ymeri” deri një vit më parë. 

Teuta Lorenco Vila

Këtë herë, pikërisht të shtunën në fushën asnjanëse të Elbasanit, vjen si një provë pjekurie për blutë e drejtuar nga Bledi Shkëmbi. Është një ndeshje ku Teuta duhet të tregojë vazhdimësinë në kampionat, për të konfirmuar se oshilacionet në rezultate kanë qenë thjesht rastësore në fazën e dytë.

Triumfi i fundit, edhe pse me shumë vuajtje ndaj Skënderbeut, ka qenë domethënës për durrsakët. Mirëpo, tashmë vjen prova e së vërtetës ndaj një skuadre më të fortë dhe që po kalon një moment fantastik në kampionat, pikërisht Kukësin, që pak ditë më parë mposhti Tiranën në kryeqytet. Kalendari në këtë fundvit për Teutën nuk është bujar, sepse dy ndeshjet i ka ndaj skuadrave që cilësohen si pretendente kryesore për titullin kampion.

Pas sfidës me Kukësin në transfertë, “djemtë e detit” presin në mesjavën e ardhshme (18 dhjetor) Partizanin kryesues në “Niko Dovana”. Ndërsa vitin e mbyllin me një transfertë që për momentin duket e lehtë në letër, pikërisht në Vlorë për javën e 17-të më 22 dhjetor. Nëse kalon me sukses këto tri ndeshje, atëherë me siguri Teuta do të hidhet fuqishëm edhe në merkaton e janarit. Vetëm tri pikë nga kreu ndodhen durrsakët dhe kësisoj askush nuk ua heq mundësinë për të ëndërruar titullin në 100-vjetorin e themelimit.

fawe

SITUATA – Ndaj Kukësit durrsakët do të kenë disa mungesa të rëndësishme. Për shkak kartonësh trajneri Shkëmbi nuk do të ketë në dispozicion Renato Arapin, Albano Aleksin dhe Roni Gashin. Nga ana tjetër, rikthimi i Arbër Çyrbes pas dëmtimit që pësoi në ndeshjen me Skënderbeun, është një lajm shumë i mirë për Teutën. Gjithashtu, nga pezullimi kthehet i gatshëm fantazisti Sherif Kallaku, duke shtuar kështu cilësinë në repartin e mesfushës. Nuk është hera e parë që Teuta vuan nga mungesat, por këtë herë ato janë vërtet me peshë.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"