Kalendar “ferri” për Apoloninë, Kolela pret kthesën: Të shmangim humbjen, një pikë në Laç nuk është keq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2020 | 11:54

Kalendar “ferri” për Apoloninë, Kolela pret kthesën: Të shmangim humbjen, një pikë në Laç nuk është keq

Apolonia do të luajë të dielën në orën 13:45 në Laç një ndeshje shumë të vështirë. Kurbinasit dhe bardhejeshilët ende nuk e kanë provuar shijen e fitores së parë. Në organikë, skuadrat kanë diferenca të ndjeshme, por starti ka qenë i dobët për të dyja. Laçi e sheh Apoloninë si gjahun e duhur për të bërë kthesën, por një humbje tjetër për fierakët do ta komplikonte shumë ecurinë e skuadrës së Xhovani Kolelës. Trajneri italian po ndërgjegjësohet javë pas jave për shkallën e vështirësisë në Superligë, por ai nuk rresht së kërkuari një ekip luftarak dhe të motivuar edhe kundër Laçit.

Kolela Apolonia

“Vijmë pas një humbjeje të thellë në fushën tonë me Partizanin dhe nuk kemi pasur shumë kohë për të menduar gjatë. Më vjen keq që skuadra nuk reagoi siç duhet pas pësimit të golit të parë, edhe pse deri në atë moment kemi qenë të barabartë, për të mos thënë që po luanim më mirë se Partizani. Gjithsesi, tani po mendojmë për Laçin, që, me sa njoh unë, është një nga ekipet më të mira të kampionatit dhe ka futbollistë me shumë kualitet. Pavarësisht se na mungojnë rezultatet, edhe një barazim ndaj Laçit nuk do të ishte keq. Duhet të shmangim humbjen, kështu që çdo rezultat tjetër na bën punë”, deklaroi Kolela për “Panorama Sport”.

KALENDAR “FERRI”

Apolonia ka siguruar vetëm dy pikë nga 12 të mundshme në 4 javë, teksa mban vendin e fundit dhe është skuadra me mbrojtjen më të dobët: 8 gola të pësuar. Fierakët luajnë me 3 qendërmbrojtës: E.Sota-Bumbar-Agyare në dy javët e para dhe duke ka vijuar me AgyareE.Sota-Repaj në dy javët pasuese. Tashmë e ardhmja e trajnerit italian në pankinën fierake e ka riskun brenda. Pas humbjes me Partizanin, Apoloninë e presin dy transferta të vështira, ndaj Laçit dhe Kukësit.

APOLONIA BYLIS

Nëse fierakët dështojnë edhe me Laçin e Kukësin, zor se presidenti Koço Kokëdhima do të vazhdojë bashkëpunimin me atë që e quajti “trajneri më i mirë që kemi pasur ndonjëherë”. Në këtë situatë, natyrisht që kreu i klubit është më i interesuari për ecurinë e ekipit, sepse mbi të gjitha e ka pjesë marketingu dhe biznesi Apoloninë.

BUMBAR-JEBOAH

Ku kanë humbur Drago Bumbar dhe Kofi Jeboah? Nëse i pari ekziston në protokoll si i gatshëm, por nuk aktivizohet asnjë minutë në dy javët e fundit, ganezi nuk figuron as në pankinë në këto dy ndeshje. Malazezi Bumbar është vlerësuar si goditje cilësore tek Apolonia dhe ka luajtur qendërmbrojtës në dy javët e para, ndërsa Jeboah u mendua si futbollisti që do të zgjidhte problemin e organizatorit te fierakët. Befas, të dy emrat në fjalë janë lënë jashtë formacionit, madje as të preferuar për t’u hedhur në fushë ndaj Partizanit në 5 ndërrimet e aplikuara nga trajneri Kolela. Madje, Jeboah nuk figuron as në listën e të disponueshmëve në dy javët e fundit, edhe pse nuk ka ndonjë dëmtim.

skema

BUJAR RAMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"