Kalendar ferri/ Kthesa në Laç, historia favorizon rrogozhinasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2022 | 21:31

Kalendar ferri/ Kthesa në Laç, historia favorizon rrogozhinasit

Pa thënë më asnjë fjalë se çfarë ndodhi në dy takimet e para, edhe për të mos “trazuar”, natyrisht heshtjen për shtyp që kanë vendosur drejtuesit e Egnatias, në radhë këtë fundjavë është një takim që mund të quhet “i treti, i vërteti”. Duke mos shkuar larg por vetëm të dy ndeshjet e rrogozhinasve në Laç të sezonit të shkuar, duket se dhe “të pamundurës” mund t’i thuash “e mundur”.

EGNATIA

Në fazën e parë, saktësisht më 16.10.2021 Egnatia kthehej nga Laçi duarplot. Fitonte ngushtë 1-0 me golin e Pedro Augusto Kabral në 75-ën, por edhe loja ishte bindëse. Në fazën e tretë në vizitën e dytë në fushën e kurbinasve të fortë rezultati qe i bardhë 0-0.

Ndërsa nëse do t’i referohemi asaj që ka ndodhur në sezonin disi të largët 2004-2005 kur Egnatia bëri të patin debutim në Kategorinë Superiore, krenaria e rrogozhinasve shumëfishohet kur llogarit se të katër ndeshjet u fituan prej tyre. E para në Lezhë më 16.10.2004 (2-0) me gola të Entonio Pashajt në 55-ën dhe Justin Bespallës në 66-ën (java 7). E dyta më 15.12.2004 në Rrogozhinë fitore 1-0 (shënues Erjon Rizvanolli në 45’+2).

E treta në Kamzë më 26.2.2005 fitore e thellë 3- 0 nga Egnatia me golat e Ervis Osmani 22′, Elton Cenos 48′ dhe trefishojë Emiljano Rrodhjes në 58′(java 25) dhe ndeshja e 4-ër më 7.5.2005 sërish fitore 2-0 nga Rrogozhinasit me dygolëshin e elbasanasit Elton Cenon në 49′ e 56′(p). Pra 4 fitore, me 8 gola të shënuar e asnjë të pësuar. Bilanc vërtetë fenomenal, duke llogaritur që këtu e 17 vite më parë, Egnatia sapo kishte prekur njohjen e saj në Elitën e futbollit shqiptar.

KTHESA – A mund të jetë Laçi “stacioni” i kthesës së madhe që pritet nga Egnatia kjo natyrisht mbetet për t’u parë. Nisur nga historia që i favorizon dukshëm atëherë ka një motiv sado të vogël për t’u frymëzuar. Natyrisht realiteti është një gjë krejt tjetër, por shprehja “kurrë mos thuaj kurrë” duket se ua shton besimin si stafit të ri teknik të Egnatias, ashtu edhe futbollistëve. Konfigurimi i skuadrës aktuale me shumë lojtarë të ardhur rishtas gjatë kësaj vere natyrisht që mund të kushtëzojë mbase edhe pak më tepër kohë në dispozicion.

Por, kur mendon se pas javës së katërt kur luajnë ndaj Vllaznisë në Rrogozhinë, Egnatia e ka disi më “fushor” kalendarin se sa “malorja” e katër javëve të para, atëherë vërtet ndizet një dritë jeshile (siç rrogozhinasit kanë uniformën e tyre), në fund të tunelit.

Për të pasur më shumë besim natyrisht në forcat, energjitë, mundësitë konkrete, e pse jo, edhe te niveli tekniko-taktik i këtyre futbollistëve, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë nga skuadra ku kanë luajtur e mbajtur peshë e madje janë aktivizuar edhe nëpër takime ndërkombëtare.

Prandaj, edhe kthesa, pse jo ndoshta që këtë javë në Laç, krijon një atmosferë për ta përdorur këtë ndeshje në transfertë si një ogur për të rikuperuar diçka nga mos fitimi i pikëve siç u ndodhi ndaj Partizanit në Elbasan dhe Tiranës në shtëpi. Ndeshja po afron dhe kjo fundjavë e ka sigurisht edhe këtë ankth më tepër.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"