Kale “i lutet” FIFA-s, mund të jetë gati ndaj Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2018 | 17:51

Kale “i lutet” FIFA-s, mund të jetë gati ndaj Skënderbeut

Elton Kale kthehet në telenovelë në Vlorë. Braziliani po stërvitet me ekipin, por nuk mund të luajë ende, pasi nuk është federuar për shkak se Kukësi e ka çuar çështjen në FIFA. Në këto kushte, Kale nuk po rri duarkryq, pasi nuk po i pëlqen kjo situatë. “Panorama Sport” mëson se Elton Kale i ka nisur së fundmi një letër FIFA-s. Nëpërmjet kësaj letre, lojtari brazilian kërkon që FIFA t’i japë të drejtën që të federohet provizorisht te Flamurtari.

kale vlore

Mësohet se Kale e ka marrë këtë vendim i gjendur edhe në trysninë e klubit vlonjat. Drejtuesit e Flamurtarit i kanë kërkuar Kalesë që të ndajë “shapin nga sheqeri”, për shkak se nuk mund të pritet kaq gjatë për zgjidhjen e kësaj situate dhe se lojtari duhet që t’i japë drejtim kësaj çështjeje. Por deri më tani nuk ka mbërritur në adresën e lojtarit një përgjigje nga FIFA për federimin e tij provizor. Në këto kushte, mbetet për t’u pritur në ditët në vijim. Kujtojmë se FSHF nuk e mori përsipër zgjidhjen e çështjes “Kale”, por gjithçka kaloi për në FIFA. Kukësi pretendon se do ta fitojë këtë.

kale

TRAJNERI – Edhe trajneri Ilir Daja konfirmon për “Panorama Sport” se Elton Kale kërkon një federim provizor për këtë çështje. Por nga ana tjetër, Daja konfirmon se ka informacion që edhe FSHF ka kërkuar nga UEFA që t’i jepet zgjidhje sa më e shpejt kësaj çështjeje. “Kale ka kërkuar që të federohet provizorisht derisa të vijë përgjigjja zyrtare nga ana e UEFA-s. Por unë kam informacion se FSHF i ka kërkuar UEFA-s që të ndikojë për ta përshpejtuar këtë çështje”, tha shkurtimisht trajneri Daja.

IDRIZI – Çështja “Kale” ka shkuar tashmë në FIFA. Institucioni më i rëndësishëm i futbollit ndërkombëtar do të vendosë përfundimisht nëse Elton Kale do të jetë lojtar i Flamurtarit apo i Kukësit. Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF ka vendosur që këtë çështje ta dërgojë në FIFA, me argumentin se kërkon një hetim më të specializuar në drejtim të firmave që janë hedhur në kontratë. Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, në lidhje me këtë situatë është shprehur. “Çështja e Kalesë është dërguar në FIFA nga Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve.

kale kukesi teuta

Aty do të vendoset gjithçka. Të shikojmë çfarë do të ndodhë, për hair na qoftë”, tha Idrizi. Kujtojmë se Elton Kale ka firmosur një kontratë me Flamurtarin. Por lojtari nuk mund të federohet derisa të shprehet FIFA. Kukësi pretendon se është lojtar i tij dhe se ka një kontratë. Vetë lojtari deklaron se kontrata i ka përfunduar dhe akuzon Kukësin për falsifikim të dokumenteve dhe firmës, por edhe për disa paga të papaguara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"