Kale çon Kukësin në Prokurori, por ja çfarë i propozon klubi verilindor brazilianit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2018 | 22:59

Kale çon Kukësin në Prokurori, por ja çfarë i propozon klubi verilindor brazilianit

Elton Kale do të çojë Kukësin në Prokurori. Lajmi konfirmohet për “Panorama Sport”, nga burime zyrtare pranë klubit vlonjat. Pritja është e gjatë, ndaj drejtuesit e Flamurtarit i kanë kërkuar lojtarit që ta zgjidhë sa më shpejt këtë çështje, pasi e Kalenë e kanë marrë për të luajtur e jo për të qëndruar në tribunë. Zyrtarë të Flamurtarit i thanë dje gazetës se gjatë këtyre ditëve pritet të hapet një çështje në Prokurori, ku lojtari do të kërkojë vërtetësinë e firmave.

kale vlore

Mësohet se organit të akuzës do t’i vendosen në dispozicion dy kontratat që lojtari disponon. Kontrata që ka përfunduar dhe për të cilën pretendon lojtari se është e rregullta, por edhe ajo pa afat, e cila deklarohet nga Kukësi, që është e rregullta. Lojtari dhe avokati mbrojtës i tij pretendojnë se Kukësi ka nënshkruar dy kontrata, ndërsa te njëra pretendohet se është falsifikuar firma e Kalesë.

Duke qenë se po vonon edhe shqyrtimi i çështjes nga FIFA, zyrtarë të klubit nuk kanë ndërmend që të presin, ndërsa kanë kërkuar nga lojtari t’i japë një zgjidhje të shpejtë. “Nuk mund të presim më gjatë. Kalen po e marrin më qafë kot. Ai është një lojtar që ne e kemi marrë dhe normalisht që e kemi llogaritur për në formacion dhe nuk mund të presim më. Ndaj, lojtari do t’u drejtohet organeve të drejtësisë për ta zgjidhur dhe për të vërtetuar firmën reale në kontratë”, tha dje një zyrtar i lartë i klubit vlonjat për gazetën.

Braziliani- Elton Kale është shumë i mërzitur nga pritja e gjatë. Dërgimin e çështjes në Prokurori e konfirmon edhe vetë lojtari. Ai thotë se po pret gjatë dhe se nuk e meriton një gjë të tillë, pasi vetë është i rregullt nga ana ligjore. “Jam shumë i mërzitur. Unë kam ardhur te Flamurtari për të luajtur dhe për të dhënë kontributin tim. FIFA ende nuk po kthen përgjigje dhe unë do t’u drejtohem tani edhe organeve të drejtësisë për vërtetimin e firmës. Unë kam firmosur vetëm një kontratë, e cila ka përfunduar në fund të sezonit të shkuar. Ndaj, përderisa isha lojtar i lirë, firmosa me Flamurtarin. Dua një zgjidhje për këtë çështje, pasi nuk mund të pres më, kur ligjërisht jam shumë në rregull”, tha Kale për “Panorama Sport”.

JA ÇFARË I PROPOZON KUKËSI

Braziliani Elton Kale luajti për plot një sezon e gjysmë në radhët e Kukësit, ku u kthye në një nga pikat më të forta të ekipit. Çuditërisht, ai u largua në Brazil pas përfundimit të kampionatit, më 31 maj, për të mos u kthyer më te Kukësi. Mbas disa thirrjeve, deklaratave dhe kundërdeklaratave mes klubit dhe lojtarit, ky i fundit nuk u kthye në klub për fazën përgatitore dhe në ndeshjet e Kupave të Europës.

kale kukesi teuta

Për t’u rikthyer për ndeshjet e Kupave të Europës, ai kërkoi një rrogë mbi 6 mijë euro, të cilën klubi e refuzoi kategorikisht. Kale vendosi të firmosë për Flamurtarin në sezonin e ri, por Kukësi nuk i ka dhënë lejekalimin dhe e ka paditur në FIFA; të njëjtën gjë e ka bërë edhe lojtari. Verilindorët kanë theksuar se do i shkojnë deri në fund kësaj çështjeje, pasi Kale është nën kontratë me Kukësin.

Në të njëjtën mënyrë ka vepruar dhe lojtari, duke pretenduar të kundërtën. Por, barra i bie mesfushorit, pasi ai ka që nga qershori që nuk aktivizohet më, pasi nuk i lejohet e nuk dihet akoma se kur do të vijë përgjigjja e FIFA-s në lidhje më çështjen në fjalë. Ndërsa gazeta mëson se Kale ka biseduar me drejtues të Kukësit gjatë kësaj kohe, ku këta të fundit i kanë kërkuar të rikthehet me dëshirë te Kukësi, t’i kërkojë falje presidentit Gjici e të ingranohet në stërvitje, në të kundërt palët do presin përgjigjen e FIFAs e do zbatojnë vendimin e saj.

Braziliani nuk ka kthyer një përgjigje as pozitive dhe as negative. Paçka këtij fakti, drejtuesit e Kukësit janë të bindur që braziliani do rikthehet te Kukësi, të paktën presin që ky të jetë vendimi i FIFA-s, duke qenë se kontrata që klubi ka pasur me lojtarin ka qenë më se e rregullt sipas tyre. Tashmë pritet çfarë do të ndodhë në vijim për këtë çështje.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"