Kalaja nostalgjik, por i shpall “sfidë” Vllaznisë: Dua të shënoj, por nuk do festoj

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Shkurt 14, 2020 | 11:17

FB Kategoria Superiore LAJMI KRYESOR Të fundit Teuta

Kalaja nostalgjik, por i shpall “sfidë” Vllaznisë: Dua të shënoj, por nuk do festoj

Arlind Kalaja paralajmëron kthesën e madhe ndaj Vllaznisë. Përtej nostalgjisë që ka për klubin “mëmë”, si një profesionit i vërtetë e thotë troç që kërkon ta mundë. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi evidenton se skuadra është në gjendjen optimale fizike dhe psikologjike, përtej humbjes me Tiranën dhe barazimit me Luftëtarin. 

kalaja teuta

“Kemi një grup realisht të mirë dhe me eksperiencë, që na motivon vazhdimisht. Ndihemi 100% gati për të dhënë maksimumin dhe dalë fitimtarë nga ky duel. Edhe në aspektin personal jam në formë. Golat apo asistet ndikojnë gjithnjë pozitivisht, edhe pse rëndësi në fund kanë vetëm pikët. Ekipi i ka mundësitë që nga ndeshja në ndeshje të rrisë performancën dhe të bëjë që të harrohet ai gabim me Luftëtarin. Kemi cilësi dhe ka ardhur koha që t’i japim kënaqësi këtij qyteti që e do ekipin dhe kërkon të jenë gjithmonë në maja. Përballja me të shkuarën? Çdo sfidë kundër Vllaznisë është speciale për mua. Unë jam rritur tek ajo akademi e sigurisht që sa herë përballem kam një ndjesi të veçantë. Mendoj se do të jetë një ndeshje mjaft e bukur. Shkodranët do të jenë një kundërshtar i fortë deri në fund, pasi e kanë potencialin për të qenë më lart në renditje”, kështu e nisi fjalën e tij lojtari i linjës së majtë.

Teuta goli

GOLI – E pret një gol në këtë ndeshje, por në shenjë respekti për të shkuarën dhe atë që ka përjetuar për Vllazninë nuk do të festonte. “Patjetër që do të shënoja në këtë ndeshje, edhe pse do të më vinte keq për Vllazninë. Unë luaj për Teutën dhe do të bëj më të mirën time për këtë skuadër. Jo, nuk do të festoj, sepse kam shumë respekt për ekipin e qytetit tim”, u shpreh shkodrani i durrsakëve.

Teuta4563

OBJEKTIVAT – Në Durrës nuk janë assesi të kënaqur me vendin e 6-të, ndaj do të bëjnë çmos që të ngjisin ndonjë shkallë në renditje që këtë të diel. I të njëjtit mendim është edhe 24- vjeçari. “Do të jetë një ndeshje e rëndësishme për ne dhe nuk duhet kurrsesi që të humbasim. Pavarësisht dy rezultateve jo të mira në kampionat, ekipi gëzon një gjendje shumë të mirë psikologjike dhe jemi shumë të motivuar. Do japim maksimumin për të dalë me pikë. Më vjen keq për Vllazninë, por jam gati ta sfidoj në këtë ndeshje. Duhet të shfrytëzojmë me patjetër faktorin fushë. U bë si u bë ai gabim me Luftëtarin, por tashmë nuk na falen më hapa falsë. Është koha për autokritikë pas dy rezultateve jo të mira. Dihet që e duam një trofe këtë vit, e megjithatë do të ishte më mirë që të rrimë me këmbë në tokë dhe t’i marrim ndeshjet një e nga një. Nëse shfaqim seriozitetin e duhur çdo javë, pikët do të vijnë dhe synimet do të realizohen. Por momentalisht nuk duhet të mendojmë për titullin kampion e as për Europën. Fakti që luajmë mirë, na jep shpresa që e ardhmja do të jetë më e mirë, gjithnjë duke besuar te forca e grupit”, përfundoi mesfushori.

ZAMIR QYPI




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com