Kaina: Fitojmë ndaj Flamurtarit, do lë gjurmë me golat te Besa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2021 | 12:54

Kaina: Fitojmë ndaj Flamurtarit, do lë gjurmë me golat te Besa

Barazimi me Lushnjën dhe humbja në Pogradec shkaktoi “furtunë” te Besa. Dhe pas 180 minutave për t’u harruar, kavajasit duan kthesën me Flamurtarin. Ky 90- minutësh merr të tjera vlera. Së pari, duhet trepikëshi aq i domosdoshëm dhe së dyti reagimi pas dy ndeshjeve negative. Trajneri Artan Mërgjyshi e tha qartë se pret të flasin lojtarët në fushë. Dhe dashur pa dashur kjo detyrë peshon mbi golashënuesin Kaina Nunjes. Është pikërisht ky i fundit, nga i cili trajneri pret reagimin. Braziliani mbetet “bomberi” i verdhezinjve me 6 gola, madje të fundit e realizoi në Pogradec. Vetë sulmuesi nuk ngurron që të premtojë autokritikën e ekipit, madje edhe të vetën.

kainaa

Teksa flet për “Panorama Sport”, 23-vjeçari deklaron: “Futbolli të zhgënjen. E pëson aty ku nuk e pret dhe neve kështu na ndodhi. Gjatë gjithë javës, trajneri Mërgjyshi na e ka bërë të qartë se, përtej premtimeve, pret nga ne rezultat pozitiv. Me atë humbje në Pogradec, ne lejuam që mjaft ekipe të na afrohen duke rrezikuar tashmë katërshen e parë. Në këtë situatë, i vetmi reagim yni mbetet kthimi te fitorja”.

GOLAT

Pa mohuar vlerën e asnjë lojtari, ndeshjet e zhvilluara deri tani kanë dëshmuar se Kaina Nunjes mbetet njeriu gol te Besa. Ndaj, prej këmbëve të tij kërkohet shpëtimi edhe në vazhdimësi. E megjithatë, vetë braziliani nuk është i kënaqur me veten. “Besoja se do të shënoja më shumë sesa 6 gola deri tani, por ndaj Lushnjës isha pa fat. Ndërkohë që, ndaj Pogradecit bëra detyrën time. Sigurisht që do të kërkoj të shënoj sot e të bëj atë që di më mirë. Do ta kërkoj golin pasi besoj se duhet e mund të shënoj. Kjo, gjithnjë me ndihmën e shokëve. Asnjë gol nuk bëhet vetëm dhe në asnjë gol merita nuk është kurrë vetëm e shënuesit. Duke besuar te këmbët e Tafilit, Muçës, Lilës, Peqinit, shpresoj se do t’ia dal të shënoj në portën e Lushnjës. Por, edhe nëse nuk shënoj, por asistoj golat dhe ekipi fiton, përsëri jam OK. Kemi shumë ndeshje përpara, ku besoj se do lë gjurmët e mia”, përfundoi Kaina.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"