Kahata nostalgjik: Tifozët janë më shumë se një lojtar për ekipin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2017 | 13:51

Kahata nostalgjik: Tifozët janë më shumë se një lojtar për ekipin

Të huajt kanë qenë pjesë e pandashme e Tiranës në vitet e fundit. Madje, në shumë prej tyre është vendosur edhe shpresa e bardhebluve për të pasur sukses. Mirëpo, pavarësisht vështirësive dhe mungesës së titujve, ka prej ish-lojtarëve të ekipit 24 herë kampion që, edhe pa lënë shumë gjurmë me këtë fanellë, ruajnë kujtime dhe emocione pozitive. Sidomos kur bëhet fjalë për një ndeshje derbi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Frencis Kahata rrëfen ndjesinë e një përballjeje të tillë.

kahata

DERBI

“Kujtoj shumë gjëra nga koha kur kam qenë në Shqipëri, një prej tyre përballja kundër Partizanit. Ishte ndeshje spektakolare. Ndjesia e javës përpara ndeshjes, emocionet dhe përjetimi ishin fantastike”, nis rrëfimin e tij Kahata. Mesfushori nga Kenia shpjegon më tej se çfarë duhet të bëjë një futbollist në një përballje të tillë.

“Për këdo, derbi është ndeshja më e rëndësishme. Është sfida për t’u fituar, prandaj çdo futbollist nuk duhet të mendojë se çfarë të bëjë, por të japë edhe zemrën në fushë. Jo vetëm për vete, por për shokët e skuadrës, për klubin dhe sidomos për tifozët. E tillë është ajo përballje”, ka vijuar mesfushori kenian.

TIRANA

Mesfushori ruan ende ndjesi pozitive nga periudha kur ka qenë pjesë e bardhebluve. “Ka qenë një periudhë e bukur për mua, ndër më të mirat. Tirana është një nga skuadrat më të mira në Shqipëri. Gjithmonë ka nevojë për lojtarët më të mirë dhe futbollistët çdo herë duhet të japin më të mirën për atë fanellë, të jenë profesionistë, të luajnë me të gjithë forcën që kanë. E theksoj këtë, sepse përfaqësojnë një numër të madh tifozësh”, tregon ish-futbollisti bardheblu.

TIFOZËT

Ndonëse nuk e njeh mirë situatën në Shqipëri dhe faktin që tifozët e kanë braktisur skuadrën prej disa muajsh, Kahata flet me bindje në lidhje me ultrasit e kësaj skuadre.

“Nuk di të them se çfarë ka ndodhur, por mund t’ju garantoj se ata tifozë e duan më shumë se kushdo ekipin. E kanë mbështetur edhe kur kanë qenë të dënuar, brenda dhe jashtë stadiumeve. I kemi pasur me vete në çdo stadium, në atë kohë që unë isha pjesë e Tiranës. Më vjen keq që e dëgjoj këtë fakt dhe uroj vetëm që të mos jetë e vërtetë. Ata janë më shumë sesa një lojtar për ekipin. Më besoni”, thekson Francis Kahata.

SITUATA

Ish-lojtari nuk e përjashton kurrë mundësinë e rikthimit në vendin tonë. Sa i përket ekipit, Kahata tregon se e njeh pak, por arrin të dallojë ndryshimet. “E kam ndjekur disa herë Tiranën këtë sezon dhe kam parë ndryshime. Ka trajner tjetër, ka lojtarë të tjerë që janë edhe të rinj në moshë. Gjithsesi, unë kam besim që ajo skuadër do të gjejë forcën të rikthehet në krye. Jo më kot është ekipi që ka fituar aq shumë trofe. Derbi? Fiton Tirana, 2-1”, ka deklaruar Kahata për “Panorama Sport”.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"