Kaçi: Partizani dhe Kukësi ta mbyllin titullin para fundit, përndryshe kampion do shpallet Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2017 | 11:01

Kaçi: Partizani dhe Kukësi ta mbyllin titullin para fundit, përndryshe kampion do shpallet Skënderbeu

Ish-portieri i Skënderbeut dhe i Kombëtares shqiptare, Jani Kaçi, në një intervistë për “Panorama Sport”, bën prognozën e tij për tri skuadrat që luftojnë për titullin. Sipas ish-trajnerit të korçarëve, nëse gjithçka lihet për dy javët e fundit, titullin e merr Skënderbeu.

Jani Kaci

Zoti Kaçi, një kampionat i fortë dhe i luftuar deri në fund. Si e shikoni finishin e sezonit?

Kampionati është mjaft i fortë dhe mendoj se do të vijojë me surpriza deri në fund. Është një garë e luftuar, pasi ekipet janë thuajse të një niveli dhe kjo e bën më të bukur. Një vit më parë, thuajse vetëm titulli kampion kishte mbetur hapur, ndërsa të gjitha verdiktet e tjera ishin vendosur. Këtë sezon jam i mendimit që edhe kampionati, edhe Europa, por gjithashtu mbijetesa do të vendosen në javën e fundit.

Le të ndalemi te titulli. Cilin ekip shikoni favorit?

Kukësi ka një përqindje më të lartë për titullin, nëse nuk mundet ndaj Partizanit. Nga ana tjetër, Partizanin e shoh të pandalshëm pas fitores në derbi. Skënderbeu është tri pikë larg dhe normalisht duhet t’i fitojë të gjitha takimet, por edhe kaq nuk i mjafton, nëse Kukësi dhe Partizani nuk ndalen gjatë rrugës. Nëse gjithçka shkon në përballjet e fundit, qoftë me Kukësin, qoftë me Partizanin, atëherë duhet që Skënderbeut t’i tremben të gjithë.

Përse mendoni kështu, Skënderbeu i ka humbur përballjet direkte…

Po, por nuk është më ai ekip i dy fazave të para. Nëse Skënderbeu do ta çojë titullin që të vendoset në ndeshjen e fundit, ata do të shpallen kampionë. Kjo, pasi kanë eksperiencën më të madhe për këto takime dhe ju kujtoj ndeshjen në Kukës para dy sezonesh.

E ka forcën Skënderbeu që të shkojë me katër fitore deri në javën e parafundit?

Mendoj se po. Sigurisht, nëse do të jenë të përqendruar dhe do të marrin çdo ndeshje me ritmin e duhur, atëherë mund t’ia dalin. Kanë dy transferta të vështira në Gjirokastër nesër dhe në Durrës pas dy javësh. Nga ana tjetër, duhet të bëjnë kujdes në shtëpi, sidomos me Vllazninë, që ka treguar se është “mace e zezë” e ekipeve të mëdha.

Latifi po kalon një formë të shkëlqyer. A e ka forcën për ta marrë përdore Skënderbeun, sikur bënte Salihi vjet?

Latifi është një djalë me talent të madh dhe po rritet shumë. Ka treguar në ndeshjet e fundit se është faktori që mund të bëjë diferencën te Skënderbeu. Ka ardhur momenti që ky lojtar të marrë përgjegjësi më të mëdha, sikundër bëri në tri takimet e fundit.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"