Kaçe “xhol”, ja si ndryshon Partizani me përfshirjen e mesfushorit në formacion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2021 | 14:40


Kaçe “xhol”, ja si ndryshon Partizani me përfshirjen e mesfushorit në formacion

Partizani afroi shumë futbollistë gjatë merkatos së verës, por pati edhe një eksod largimesh, ku disa prej lojtarëve më të rëndësishëm të klubit u larguan drejt kampionateve të tjera. Lëvizja më e papritur ishte ajo e Esat Malës, i cili u largua drejt Girensusporit në Turqi, për t’u rikthyer sërish një muaj më vonë në formë huazimi te “demat e kuq”. Gjithashtu, Partizani afroi edhe Ergys Kaçen, ndoshta goditja më e bujshme e verës në kampionatin shqiptar.

ERGYS KACE 1

PORTA – Nëse ka një pozicion ku te Partizani nuk ka asnjë dyshim se kush do të luajë, është porta. Alban Hoxha është kapiteni dhe titullar i padiskutueshëm, ndërsa dy portierët e tjerë, Vokli Laroshi dhe Aldo Teqja, do të jenë të gatshëm për të zëvendësuar Hoxhën.

MBROJTJA – Sezonin e shkuar, Partizani i vuajti shumë mungesat në mbrojtje, pasi kishte vetëm 4 alternativa. Ndërsa këtë sezon, alternativat janë të shumta. Gligorov, Albion Marku, Shehi, Sota, Belica, Damçevski dhe Musta do të rivalizojnë me njëri-tjetrin për katër pozicionet e prapavijës. Me shumë gjasa, katërshja e mbrojtjes do të jetë kjo: Marku, Shehi, Belica dhe Musta.

MESFUSHA – Në këtë repart, janë ndryshimet e mëdha te Partizani. Ergys Kaçe pritet të rreshtohet para mbrojtjes, aty ku do të organizojë çdo aksion sulmues të Partizanit. 28-vjeçari pritet të jetë truri i “demave” me pasimet e vertikalizimet e tij. Kaçe do të mbështetet nga Murataj dhe Marku, të cilët kanë energji të pafundme për të shpenzuar. As alternativat nuk mungojnë, me Koten dhe Rrapajn që do të presin mundësitë e tyre.

SULMI – Stenio Zhunior është i paprekshëm, ndërsa nga krahët do të ketë ndryshime. Esat Mala pritet të mbulojë fashon e djathtë të sulmit, ndërsa Gresild Lika në të majtë. As alternativat nuk mungojnë, me Carën, Kardozon dhe Filipoviçin që pritet të bëjnë diferencën gjatë sezonit.

PAR

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/