Ka siguruar vetëm 2 fitore në 10 ndeshje, Mirel Josa: Problemi i Kukësit s’është Europa, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2021 | 14:49

Ka siguruar vetëm 2 fitore në 10 ndeshje, Mirel Josa: Problemi i Kukësit s’është Europa, por…

Pankina e Kukësit është “e nxehtë” dhe trajnerët janë gjithnjë në “fije të perit”, për më tepër kur nuk marrin rezultatet. Përgjatë këtij sezoni Mirel Josa është i treti në krye të “timonit” të verilindorëve, pas largimit të Skënder Gegës dhe më pas të Rraman Hallaçit, i cili qëndroi për emergjencë.

Mirel Josa

Humbja e fundit ndaj Skënderbeut në kampionat ka bërë që të “dridhet” sërish pankina e Kukësit, pasi skuadra tanimë ka dalë jashtë objektivit minimal, siç është Europa. Historia në Kukës tregon se në mungesë të rezultateve ai që e pëson është trajneri, edhe pse mund të mos jetë përgjegjësi kryesor në rastin konkret për mungesën e rezultateve dhe mosrealizmin e objektivit.

TRAJNERI – Në përfundim të sfidës me Skënderbeun, “Panorama Sport” pyeti trajnerin Mirel Josa nëse i druhej ndonjë shkarkimi të mundshëm pas këtij rezultati, meqenëse skuadra praktikisht doli edhe nga gara për Europën. Tekniku kryeqytetas u shpreh se vihet në dispozicion për çdo lloj vendimi, por apeloi që të mos merren vendime të nxituara.

“Ne për këtë punë jemi, për t’u ngarkuar dhe për t’u shkarkuar, kështu që në qoftë se çdo gjë bëhet për të mirën e skuadrës, atëherë jam në dispozicion për çfarëdo lloj gjëje.

Por, nuk duhet të marrim vendime të nxituara”, u shpreh shkurtimisht për këtë çështje tekniku. Në lidhje me shanset për Europë, Josa kërkoi që për momentin të shohin për të grumbulluar sa më shumë pikë. “Nuk është problemi i Europës, problemi ynë është të grumbullojmë sa më shumë pikë që të luajmë sa më të qetë në vazhdimësi”, vijoi më tej tekniku kryeqytetas.

Josa e nisi aventurën e tij te Kukësi me një fitore bindëse, pikërisht ndaj ishskuadrës së tij, Skënderbeu, por i kanë munguar rezultatet në vijim. Në 10 ndeshjet në krye të pankinës, Josa ka një bilanc prej dy fitoresh, tri barazimesh dhe pesë humbjesh. Ndërkohë, skuadra u eliminua edhe nga Kupa e Shqipërisë, duke bërë që sezoni i verilindorëve të jetë për t’u harruar.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"