Ka shkaktuar autogol në miqësore, Radas: Dinamon e ndalim me zgjuarsi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2017 | 14:34

Ka shkaktuar autogol në miqësore, Radas: Dinamon e ndalim me zgjuarsi

Marko Radas ka kujtime të hidhura nga përballjet me Dinamon e Kievit sepse ka shënuar një autogol në miqësoret që korçarët kanë luajtur ndaj tyre dhe e kanë humbur me rezultatin 4-2. Mirëpo, kroati thotë se ato ndeshje nuk kanë shumë vlerë dhe se tani ekipi i Skënderbeut është rritur shumë dhe ka mundësi për të marrë rezultat pozitiv.

Radas ndaj Shakhtjorit

Prej më se gjashtë sezonesh në Korçë, Radas i ka luajtur të tria përballjet që Skënderbeu ka zhvilluar me ekipin e Dinamos së Kievit dhe ka informacionin e duhur për forcën e këtij ekipi që edhe pse në miqësore ka treguar një potencial të lartë.

Në një prononcim të shkurtër të dhënë për “Panorama Sport”, Radas ka bërë me dije se ekipi i Dinamos është një skuadër e fortë fizikisht, pasi i tillë është edhe kampionati, teksa ka theksuar se me përqendrim, Skënderbeu mund t’ia dalë. Kroati paralajmëroi se ndeshjet miqësore nuk duhet të merren si etalon për dy arsye që i analizon më poshtë.

Radas Skenderbeu 2017

KA BESIM – “Është e vërtetë, me Dinamon e Kievit kemi luajtur tri takime miqësore gjatë fazave përgatitore dhe e dimë shumë mirë se është një ekip i fortë. Ukrainasit, për shkak edhe të kampionatit, janë një ekip që anën fizike e kanë pikën e tyre të fortë dhe ky është ndryshimi i parë që ka me Skënderbeun.

Radas festa

Nga ana tjetër, mund të them se ato miqësore të luajtura nuk janë një etalon matës për disa arsye. Kryesisht ndeshjet me Dinamon janë zhvilluar në fillim të fazës sonë përgatitore dhe forma e ekipit ka qenë e dobët. Plus kësaj, një takim zyrtar ndryshon shumë nga përgjegjësitë që marrin lojtarët, nuk do të ketë asnjë ngjashmëri për këtë ju siguroj.

Radas Skenderbeu stervitje

Dhe ajo që është më e rëndësishme qëndron në faktin se një ekip si Skënderbeu këtë sezon është shumë herë me më shumë eksperiencë se vite të shkuara, prandaj kemi mundësitë tona. Do të jetë një takim i vështirë, po, këtë e dimë, por ne dimë edhe forcën e ekipit tonë”, përfundoi kroati Marko Radas.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"