Ka shënuar 2 gola, rrëfehet idhulli i ri në Shkodër: Kur erdha këtu, e mësova që isha pjesë e një ekipi me kaq shumë histori në Shqipëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2018 | 21:52

Ka shënuar 2 gola, rrëfehet idhulli i ri në Shkodër: Kur erdha këtu, e mësova që isha pjesë e një ekipi me kaq shumë histori në Shqipëri

Braziliani Silvio Rod rigues Pereira Xhunior, sulmuesi i bashkuar me Vllazninë në çastet e fundit të merkatos së verës, është kthyer në njeriun më të përfolur gjatë ditëve të fundit në Shkodër. Në dy ndeshje ka shënuar dy gola, ndërsa me lojën e tij po bën për vete tifozët. Fillimisht, shënoi golin e fitores në sfidën e kampionatit ndaj Korabit 2- 1, ndërsa shënoi edhe golin në barazimin e së mërkurës në Kupë përballë Burrelit. Në një intervistë të tij për gazetën “Panorama Sport”, ai është shprehur i kënaqur që është pjesë e Vllaznisë.

vllaznia

Ndërsa thotë se do të kërkojë që të jetë protagonist me golat e tij në këtë sezon. Sulmuesi brazilian Pereira Xhunior ka luajtur në vendlindje me katër skuadra. Në 2016-ën, ai nënshkroi për Çernomorets Odesa në Ukrainë, por që u largua pas pak kohësh duke mos arritur të gjente shumë hapësira në klubin e njohur ukrainas. Ai ka bindur gjatë provës pakditore që ka zhvilluar me kuqeblutë, ndërsa në dy ndeshjet e para po tregon se është një zgjedhje e duhur te Vllaznia.

Si ndiheni në Shkodër, a i jeni përshtatur ekipit  dhe mjedisit në këtë qytet?

Mund të them se ndihem shumë mirë, si me skuadrën dhe me ambientin në qytet. Shokët më mirëpritën shumë mirë dhe më ndihmojnë shumë në punën time. Ndihem vërtet mirë. Kur erdha në Shkodër, nuk e njihja shumë këtë skuadër, por këtu mësova se jam pjesë e klubit me shumë emër në këtë vend.

Si erdhët në Shqipëri?

Kam luajtur disa vite në vendin tim në Brazil, ndërsa kam qenë edhe pjesë e Çernomorets Odesa në Ukrainë. Nëpërmjet menaxherit mbërrita në Shqipëri dhe u provova për disa ditë te Vllaznia. Klubi vendosi të më mbante dhe unë shpresoj që të jap kontributin tim maksimal për këtë ekip të ri.

Si e shikoni Vllazninë në këtë sezon?

Kemi një ekip të mirë, shumë të kualifikuar në të gjitha pozicionet. Ne do të luftojmë për ta çuar Vllazninë në Superiore ku është edhe vendi i saj. Unë e shikoj me syrin pozitiv këtë skuadër. Jam i bindur se do ta arrijmë që të gjithë bashkë kthimin në elitë të këtij ekipi me kaq shumë emër në futbollin shqiptar.

 

Besoni se do të bëni rolin e liderit dhe të udhëhiqni ekipin drejt objektivave që ka?

Ne jemi një ekip dhe ne të gjithë duam të fitojmë. Qëllimi ynë është një, ta kthejmë Vllazninë në Superiore. Por unë uroj që së bashku me të, të arrij edhe qëllimet e mia. Unë do të bëj punën time në mënyrën më të mirë të mundshme. Të gjithë së bashku do të arrijmë atë që kërkon Vllaznia. Një i vetëm nuk është asnjëherë shpëtim për skuadrën. Puna ime është që të shënoj.

Dy ndeshje dhe dy gola. Është “Këpuca e Artë” një prej synimeve tuaja?

Po, sigurisht, jam shumë i lumtur me këtë fillim. Të gjithë sulmuesit duan këtë çmim. Në çdo lloj aspekti fitimi do të ishte i madh në aspektin personal. Do të kërkoj që të shënoj sa më shumë.

Keni luajtur kundër Burrelit në Kupë dhe e keni parë nga afër këtë ekip. Besoni se mund ta fitoni ndeshjen e së dielës që do të luani sërish në Burrel që është e vlefshme për kampionat?

Siç thashë, ne kemi një ekip shumë të kualifikuar dhe gjithmonë luajmë për të fituar, kështu që ne kemi shumë kushte për t’i mundur ata në kampionat. Edhe në Kupë e merituam që të fitonim. Gjithsesi, do të kemi një përballje të fortë dhe të vështirë përpara. Unë mendoj se ne jemi më të përgatitur dhe do të kërkojmë që të arrijmë një fitore kësaj here.

Synoni të qëndroni gjatë te Vllaznia apo besoni te ndonjë transferim në një klub në elitë apo jashtë Shqipërisë?

Për momentin jam i fokusuar maksimalisht te kampionati. Jam bërë pjesë e Vllaznisë me synimin për ta ngjitur këtë ekip në Superiore. Po i marrim ndeshjet me radhë dhe besoj se shumë shpejt do të jemi në krye të shkëputur nga kundërshtarët. Për të ardhmen është shpejt për të folur, ka ende shumë kohë. Fillimisht, të ngjisim Vllazninë në elitë dhe më pas të flasim.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"