Ka pësuar 111 gola, rrëfimi unik i trajnerit të Bilishtit: Nuk kemi portiere! Janë lojtare të reja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2018 | 22:47

Ka pësuar 111 gola, rrëfimi unik i trajnerit të Bilishtit: Nuk kemi portiere! Janë lojtare të reja

Pasionin dhe besimin me vete. Disa vite më parë, nëse do t’i thoshe dikujt se në Bilisht ka një ekip femrash, sigurisht që do të qeshte dhe nuk do ta merrte seriozisht. Por, kohët kanë ndryshuar dhe mentaliteti është zbutur disi. Në korrik të vitit të kaluar, një më- sues fizkulture dhe trajner futbolli, vendosi të thyejë tabunë dhe të krijojë një ekip futbolli…femrash.

17 vajza të reja 13-18 vjeç, disa topa dhe mbi të gjitha shumë dëshirë. Pas dhjetë ndeshjesh në kampionat me të gjitha humbje dhe vetëm tre gola të shënuar, me Bilisht Sportin “tallen” çdo javë me golat që pëson. Në total deri tani, skuadra ka pë- suar 111 gola. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i skuadrës, Trifon Meraku rrëfen historinë sesi u krijua skuadra dhe pse Bilishti pëson kaq shumë.

trifon meraku

Si të lindi ideja që të krijosh një ekip futbolli femrash, për më tepër në Bilisht, një qytet i vogël ku mentaliteti është i ngurtë?

Unë merrem me futboll prej më shumë se 20 vitesh. Jam mësues fizkulturë dhe trajner. Pasi u shkri skuadra e Bilisht Sportit për meshkuj, me ndihmën edhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, lindi ideja për të krijuar një ekip femrash. Sigurisht, në fillim ishte shumë e vështirë, pasi këtu është qytet i vogël dhe mentaliteti nuk të lejon. Por, besimi ndaj meje si mësues fizkulture dhe një njeri që kam derdhur djersën prej 20 vitesh për futbollin, ka bërë që të krijojmë një ekip femrash. Klubi është krijuar më 17 korrik të 2017-ës dhe po bëjmë gjithçka për të përmirësuar dita-ditës me stërvitje dhe punë intensive.

Je i kënaqur nga puna e deritanishme dhe si e vlerëson paraqitjen e skuadrës në këto javë që janë luajtur deri tani?

Sigurisht, nuk jemi aty ku duhet. Por, mos harroni se është vetëm sezoni i parë. Klubet e tjera kanë nga tetë vite që janë krijuar dhe luajnë futboll. Në fillim, lojtaret e mia nuk dinin asgjë nga futbolli. Tani kanë nisur të pasojnë, të driblojnë dhe po mendojnë për lojën. Kjo është ajo që më jep besim për të ardhmen. Për ne pak kanë rëndësi rezultatet.

Pse nuk i zhvilloni ndeshjet në Bilisht, duke qenë se ka një stadium me kushte normale?

Është çështje politike. Bashkia nuk na lejon që të luajmë në stadium dhe kemi gjetur si alternativë fushën e Maliqit. Paguajmë një shumë të vogël për të luajtur aty. I kam thënë disa herë kryetarit të bashkisë, por nuk na lejon.

Si arrin ta mbash skuadrën, për sa u përket financave?

Të them të drejtën, na ndihmon Federata e Futbollit, e cila na paguan udhëtimet dhe dietat e lojtareve. Por, jo vetëm Bilishtin, por të gjitha ekipeve të tjera të femrave.

Ku i zhvilloni stërvitjet?

Edhe për këtë kemi probleme. Më shumë në ambientet e shkollës, por edhe aty në shumë raste nuk na lejojnë. Është pak e vështirë, por mundohemi që të sakrifikojmë, si unë që jam trajner, edhe femrat gjithashtu.

Sa lojtare ke aktualisht në ekip?

Fillimisht, kanë qenë 17 futbolliste, por 2 janë larguar për arsye shëndetësore dhe tani kanë mbetur 15. Për sa i përket moshës, nisin nga 13 vjeç, 14 vjeç, 15 vjeç dhe katër janë maturante, 18 vjeç.

Është e vështirë për t’i afruar femrat në futboll në një qytet të vogël si Bilishti?

Sigurisht, është shumë e vështirë, pasi këtu është mentaliteti që nuk të lejon. Të gjithë shohin me skepticizëm se çfarë bën ky me një ekip femrash. Megjithatë, me besimin që kemi dhe punën e përditshme, po mundohem të mbaj këtë skuadër. Edhe prindërit kanë shumë besim dhe gjërat po ecin mirë. Gjithashtu, i ftojmë prindërit në ndeshjet që luajmë.

Në dhjetë ndeshje keni pësuar 111 gola, një shifër shumë e çuditshme…

Sigurisht që janë shumë. Por, ne jemi një ekip i ri dhe ende nuk kemi një portiere stabël. Kemi ndryshuar disa. Klesia Spaho më bind në stërvitje dhe e vendosa në portë në ndeshjen ndaj Skënderbeut, por më zhgënjeu. Është më mirë sulmuese sesa portiere. Ende nuk kemi një portiere të mirëfilltë. Megjithatë, katër prej lojtareve janë grumbulluar nga Kombëtarja U19. E ndiejmë mungesën e një portiereje, pasi çdo top që shkon drejt portës, është gol.

Po rivalët nuk tregojnë mëshirë apo shfrytëzojnë rastin për të shënuar sa më shumë?

Nuk është punë mëshire. Por, unë nuk dua vetë që t’iu ulem dhe t’u them atyre që të mos shënojnë shumë. Disa më thonë që t’u them rivalëve që të mos na shënojnë shumë, por unë nuk e bëj asnjëherë. Le të luhet futboll normalisht dhe të shënojnë sa të duan.

Cila skuadër ju ka shënuar më shumë?

Kamza është treguar e pamëshirshme. Na ka mundur 27-0. Atë ditë, skuadra e Kamzës kishte afruar disa lojtare me ngjyrë për t’i provuar, ndërsa unë kam vajza të vogla që janë ende në 9- vjeçare. Nuk i kam thënë asgjë trajnerit të Kamzës, pavarësisht se na turpëruan. Në fund të ndeshjes, kur po pinim kafe, i thashë që fiton vetëm tri pikë, edhe kur shënon 5 edhe kur shënon 27 gola. Por, mendoj se rivalët duhet të tregohen më “fair play”, pasi ne në vend të fundit jemi dhe nuk na prish asgjë.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"