Ka “përkthyes” Dejvi Bregun, Fernandez insiston: Trajneri jam unë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2017 | 10:45

Ka “përkthyes” Dejvi Bregun, Fernandez insiston: Trajneri jam unë

Klubi i Luftëtarit ka zyrtarizuar uruguaianin Daniel Fernandez si trajner të parë, por në fakt që prej fillimit të kampionatit para mediave në konferencat e zakonshme për shtyp ka dalë gjithnjë zv.trajneri Luis Kurbelo. Këtë situatë disi të çuditshme klubi e ka arsyetuar thjesht si një zgjedhje mediatike dhe që nuk ka pse të krijojë aludime për numrin një të stolit.

fernandez kurbelo

Mirëpo, nga ajo që vihet re në stërvitje, më aktiv mbetet zv.trajneri Kurbelo, pasi ky i fundit flet mirë gjuhën greke. Duke qenë se spanjishtja është shumë e vështirë për t’u kuptuar nga të gjithë lojtarët, Kurbelo e ka më të lehtë të flasë në greqisht. Zëdhënësi i klubit, Rigels Malile, bën edhe përkthyesin nga spanjishtja, ndërsa këtë gjuhë e zotëron mirë edhe Dejvi Bregu, që ndihmon herë pas here lojtarët pas këshillave që jepen nga stafi teknik.

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, trajneri uruguaian i Luftëtarit, Fernandez, sqaroi se, fakti që nuk është parë të dalë para mediave, ka të bëjë më shumë me gjuhën, pasi ai di vetëm spanjisht dhe i duhet një përkthyes në dispozicion në çdo moment. “Së pari, jemi shumë të lumtur që lojtarët dhanë maksimumin e tyre dhe arritën një fitore të rëndësishme ndaj Laçit. Unë jam trajner i Luftëtarit dhe mbetem gjithnjë i hapur me mediat.

luftetari stervitje

Kam ardhur në Gjirokastër për të punuar së bashku me kolegun tim nga Uruguai, Luis Kurbelo. Unë flas vetëm spanjisht, ndërsa asistenti im njeh mirë edhe gjuhën greke. Marrëdhënia ime me median është gjithmonë e hapur, por problemi i vetëm është gjuha. Kjo është e vërteta ime, sepse flas vetëm spanjisht”, sqaroi Fernandez, i cili foli edhe për triumfin e fundit në Laç.

“Ishte një fitore shumë e rëndësishme në një stadium të vështirë kundër një rivali të fortë. Luajtëm mirë në mbrojtje dhe e goditëm kundërshtarin përmes kundërsulmeve. Laçi na sulmoi më tepër dhe krijoji disa raste. Kemi qenë në telashe herë pas here, por në fund djemtë bënë një punë shumë të mirë dhe e merituan fitoren”.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"