“Ka pasur mungesë respekti”, Avdyli: Teuta ia del me Vllazninë, ja kush më ka motivuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2020 | 20:25

“Ka pasur mungesë respekti”, Avdyli: Teuta ia del me Vllazninë, ja kush më ka motivuar

Teuta ka shpërthyer në Gjirokastër ndaj Luftëtarit të rënë nga kategoria duke shënuar pesë gola. Në fushë nuk ka qenë asgjë e thjeshtë për durrsakët, pasi në pjesën e parë shpërdoruan dhe gjithçka u mbyll pa gola. Ketë gjë e konfirmon për “Panorama Sport” dhe një nga mesfushorët më në formë te bluve, Florent Avdyli.avdyli-florent 

Tjetër ndeshje e mirë për Teutën duke fituar thellë në Gjirokastër. Florent, aq e thjeshtë ishte?

Kjo ishte një provë e mirë, ku skuadra u shpreh mirë në fushën e lojës. Pavarësisht golave, nuk ishte aq e thjeshtë. Luftëtari ka një ekip me djem të rinj që luajnë me dëshirë. Që pas ndeshjes me Tiranën ne u fokusuam totalisht te kjo ndeshje. Në pjesën e parë patëm pak vështirësi, pasi kundërshtari u tërhoq prapa, por në të dytën hymë me synime të qarta: Duhet të shënonim sa më shpejt dhe ta fitonim ndeshjen dhe ia arritëm me sukses. Jam i lumtur që ia dolëm.

Mund të themi që skuadra e ka kaluar momentin e vështirë?

Skuadra stërvitet gjithmonë mirë dhe me intensitet të lartë. Kemi bërë shumë ndeshje të mira, ku kemi mundur Tiranën, Kukësin, Partizanin. Pra, kemi bërë shumë paraqitje pozitive. Besoj se në një ekip, emrat dhe kualitetet duhen, por më shumë në futbollin e sotëm vlen fryma e grupit dhe dëshira te çdo futbollist për të fituar dhe për të dhënë maksimumin. Kjo është kryesorja. Shpresoj shumë që të vijomë kështu dhe të arrijmë objektivat.

Po kaloni një moment të mirë, teksa ndaj Luftëtarit e konkretizuat edhe me një gol të bukur. Cili është çelësi i suksesit?

Të stërvitem ka qenë motivimi im më i madh në muajt e fundit. Këtë dëshirë, për t’u kthyer diçka mbrapsht njerëzve të mi, kam arritur ta ruaj edhe në një moment të vështirë sportiv, atëherë kur njerëzit nuk kishin shumë respekt ndaj teje. Kjo dëshirë më ka mbajtur gjallë nga ana sportive. Është diçka e këndshme të arrish objektivat. Dua të punoj për atë objektiv përsëri. Për golin jam i lumtur pasi e kam dashur një gol, më së shumti për moral.

Si e shihni ndeshjen e kthimit dhe sa e mundur duket gjysmëfinalja?

Sigurisht që ndihemi mirë që barazuam në atë mënyrë, por të gjithë e dinë që ekipi zhvilloi një ndeshje të mirë, sidomos në pjesën e dytë. Me këtë dua të them se e meritonim fitoren ndaj Vllaznisë, por futbolli i tillë është dhe duhet pranuar tashmë ai rezultat. Duhet të fokusohemi për të bërë mirë në vazhdimësi, duke minimizuar në maksimum gabimet. Ndaj Vllaznisë duhet të jemi të qetë. Së pari, duhet vlerësim maksimal që ta kalojmë turin dhe ekipi të marrë më shumë moral.avdyli krasniqi

Sa favorizues është për ju rezultati i ndeshjes së parë?

Po, rezultati na favorizon. Megjithatë, besoj se ekipi i ka mundësitë për ta fituar ndeshjen në Durrës dhe të mos presim kundërshtarin prapa. E thashë më sipër, që duhet vlerësim maksimal i ndeshjes. Unë besoj te kualifikimi.

Si mund të vijnë golat në vazhdim?

Duke luajtur një futboll edhe më të mirë dhe duke i nxjerrë sulmuesit në kushte më të mira para portës. Nuk kemi pasur problem vetëm mosshënimin e golave nga sulmuesit. Në të dyja fazat e lojës kemi hasur vështirësi. Shpresoj të gjejmë vazhdimësinë te golat ashtu siç e kemi gjetur te rezultatet.

Mund të arrijë kjo skuadër në Europë?

Kam shumë besim se këtë sezon do ta arrijmë Europën. Jemi të gjithë shumë profesionistë, por kemi edhe një staf të përgatitur. Këtu gjërat funksionojnë me shumë profesionalizëm dhe është një ambient që nuk ka presion. Kjo na shërben dhe na ndihmon shumë.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"