“Ka një kufi edhe shtyrja”, trajneri i Besës nervoz për situatën aktuale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2020 | 13:04

“Ka një kufi edhe shtyrja”, trajneri i Besës nervoz për situatën aktuale

Pritja për startin e sezonit ka kaluar çdo kufi dhe kjo situatë e ka nervozuar trajnerin e Besës, Ndriçim Kashami. Sipas tij, miqësoret nuk garantojnë ruajtjen e parametrave që kërkohen për një ekip i cili synon Superioren. “Shtyrja pa fund e kampionatit e penalizon Besën dhe ekipet me synime madhore. Ndryshe është për ekipet që thjesht luajnë një sezon për statistikë.

Kashami

Na duhet të mendojmë për shumë komponentë, të cilët të çojnë te suksesi i pritshëm. Jemi të detyruar të mendojmë deri në detaje çdo ndeshje dhe çdo kundërshtar. Kemi nisur përgatitjet që në korrik dhe them se u zgjat ca si shumë starti. Vjen një moment dhe thua: Çfarë duhet të bëjmë tani? E kemi mbushur kohën me miqësore për të ruajtur treguesit fiziko-taktikë dhe deri tani jam i kënaqur nga gjendja, futbollistët janë në formë optimale, por shpresoj që gara të nisë sa më shpejt”, u shpreh Kashami.

KACBUFI-SHIMAJ – Trajneri i Kombëtares U-20, Ilir Biturku, ka besuar te dy mbrojtësit e Besës, Alesandro Kacbufi dhe Egzon Shimaj, duke i grumbulluar në ekip. Jashtë listës kanë mbetur Bledar Lila dhe portieri Ilir Dobjani, të dy titullarë me kavajasit.

MIQËSORE ME VLLAZNINË – Besa e ka rritur “pjacën” dhe kundërshtari i radhës në miqësore është Vllaznia. Pas Tiranës, kavajasit do të ndeshen edhe me shkodranët në “Loro Boriçi” ditën e shtunë. Besa ndeshjen e parë të kampionatit e ka në transfertë ndaj Lushnjës, ndaj dhe miqësoren po e luan jashtë fushe.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"