Ka ngjitur tri ekipe në elitë, flet sulmuesi Marku: Radha e Korabit…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2020 | 20:59

Ka ngjitur tri ekipe në elitë, flet sulmuesi Marku: Radha e Korabit…

Pasi blinduan një pjesë të mirë të titullarëve, Korabi është përforcuar edhe me afrime të rëndësishme. Një ndër ta është edhe Taulant Marku, i cili sezonin e fundit e mbylli në Krujë.

Marku

Në një intervistë për “Panorama Sport”, 26-vjeçari tregon se përse vendosi të lërë elitën për Kategorinë së Parë. Ai do që të ngjisë dibranët, ashtu siç ka bërë më herët me ekipe si Tërbuni dhe Kastrioti.

Latë Kategorinë Superiore për të Parën. Pse kjo zgjedhje?

Vendosa të largohem, pasi dua të provoj diçka të re. Nuk mendoj se ka diferenca të mëdha mes Kategorisë së Parë dhe elitës. Pas shumë ofertave dhe bisedimeve me disa ekipe në Superiore dhe të Parën, vendosa të firmos për Korabin. U ndjeva më i vlerësuar këtu. Projekti i tyre më bindi. Shpresoj të kem bërë zgjedhjen e duhur.

U bënë më shumë se dy javë te Korabi, si ndiheni?

Korabi edhe vitin e shkuar kishte një ekip konkurrues. Mendoj se dhe me ndonjë përforcim tjetër do të bëhemi ekip pretendent për t’u ngjitur në Superiore. Korabi është ndër skuadrat që ka filluar më shpejt përgatitjet për sezonin e ri. Ka një organizim të mirë dhe një trajner shumë punëtor. Çunat e ekipit më kanë pritur shumë mirë. Një pjesë të tyre i kam shokë.

Me çfarë objektivash do të hyni në garë?

Kam pyetur për objektivat, që në momentin e parë kur negociova me drejtuesit e klubit. Më është bërë e qartë se Korabi do të ketë vetëm një objektiv: ngjitjen në Superiore. Mendoj që po punohet shumë mirë dhe jemi në rrugën e duhur.

Shquheni për ngjitjen e ekipeve në elitë, deri tani keni kontribuar për tri të tilla. Mendoni se do t’ia dilni edhe me dibranët?

Kjo është e vërtetë. Tri ekipe me të cilat kam luajtur janë ngjitur në Superiore, por kjo jo vetëm për meritë timen. Pa ndihmën e grupit, asgjë nuk do të arrija. Kam luajtur për skuadra të mira, por edhe kam dhënë maksimumin tim. Të njëjtën gjë do të bëj dhe me Korabin. Jam i bindur se në fund të sezonit do t’ia dalim. Sikurse shihet nga lëvizjet që kanë bërë ekipet, ky kampionat do të jetë shumë i luftuar.

Por nuk kam preferuar asnjëherë të merrem me kundërshtarët. Ne duhet të bëjmë punën tonë, të marrim ndeshjet me radhë dhe të vlerësojmë çdo kundërshtar. Po arritëm të bëjmë mirë këto, nuk do të ketë ekip që të na trembë.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"