Ka mbajtur veshur fanellën e Apolonis dhe Lushnjës, mesfushori që po shkëlqen në Rumani zgjedh skuadrën që ngjitet në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2020 | 0:03

Ka mbajtur veshur fanellën e Apolonis dhe Lushnjës, mesfushori që po shkëlqen në Rumani zgjedh skuadrën që ngjitet në Superiore

Lushnja po fillon ta ndiejë sërish atmos ferën e derbit me Apoloninë, edhe pse deri më 14 qershor ka kohë. Atmosfera e kësaj sfide po ndihet që tani, jo vetëm se futbolli rikthehet pas më shumë se dy muajsh pezullim, por edhe për faktin se ndeshja që do të luhet në “Loni Papuçiu” vendos në njëfarë mënyre fatin e sezonit dhe humbja është e ndaluar për verdhejeshilët.

papa1

PAPA – Enriko Papa, ish-sulmuesi i Lushnjës, luan prej dy vjetësh te Botosani në kampionatin rumun. Me rënien e verdhejeshilëve nga Superiorja në verën e vitit 2018, 27-vjeçari kaloi te kjo skuadër. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Papa shprehet: “Jam në Rumani, në fazë përgatitore me Botosanin. Situata është e mirë në të gjitha aspektet, si ekonomike, ashtu edhe shëndetësore. Kampionati do të rinisë më 12 qershor dhe do të përballemi me Krajovën, ku luan Kamer Qaka. Objektivi është i realizueshëm për Kupat e Europës, pasi ndodhemi në vendin e katërt”, tha fillimisht ish-lojtari i Lushnjës.

Enriko Papa

LUSHNJA – Sulmuesi nga Kuçova ka luajtur edhe për Apoloninë, Tomorin, Butrintin, Bylisin, Tiranën dhe Teutën. Ai pohon se e ndjek me interes kampionatin e Kategorisë së Parë dhe se e sheh Lushnjën si pretendente kryesore, pavarësisht se ndodhet në vend të tretë. “Tani po vjen faza kulmore, ku katër skuadra ndeshen mes tyre. Me atë që kam parë, Lushnja më duket se ka një grup më solid, me lojtarë shumë të mirë për Kategorinë e Parë, siç janë Canka, Pepa, Branica, Gava, Mone, Taullahu, Ruço, me të cilët kam luajtur.

Është afruar edhe një mbrojtës me shumë eksperiencë si Nako, që e njoh shumë mirë, sepse kemi luajtur bashkë tek Apolonia. Plus, Lushnja ka profesor Ilir Gjylën, që di t’i motivojë shumë mirë lojtarët. E di shumë mirë që Lushnja është në vend të tretë, por me 1 apo 2 ndeshje ndryshon renditja. Kryesorja është kush fiton tani, në ndeshjet direkte”, thekson Enriko Papa.

PAPA

DERBI – Kuçovari flet edhe për derbin e 14 qershorit. “Derbi do të jetë shumë i bukur nga ana sportive, kam luajtur me të dyja skuadrat dhe mund të them që është një ndeshje shumë e zjarrtë, shumë në vëmendje. Ka dëshirë nga të dyja palët për fitore. Te kjo ndeshje shprehet shumë më tepër sesa në ndeshjet e tjera. Është një fatkeqësi e madhe sportive që do t’i mungojnë tifozët. Kush do të përgatitet më mirë në këtë periudhë, do të ketë avantazhin për të fituar derbin. Lushnja ka sulmues të mirë, Cankën, Branicën, Pepën.

I duhet fitorja dhe i ka lojtarët që mund t’i japin tri pikët. Edhe Pogradeci është një rival i barabartë. Do të jetë një garë e bukur, sidomos ndeshjet e Apolonisë me Lushnjën”, u shpreh ish-sulmuesi i myzeqarëve, Enriko Papa. Në sezonet 2012-2014 ka qenë pjesë e fierakëve, ndërsa në sezonin 2017-2018 luajti për Lushnjën. Tani aktivizohet te Botosani në kampionatin rumun.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"