Ka luajtur për të dyja ekipet, Astrit Premçi: Mbrojtja u shthur në Laç, por Vllaznia fiton me Bylisin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2019 | 20:35

Ka luajtur për të dyja ekipet, Astrit Premçi: Mbrojtja u shthur në Laç, por Vllaznia fiton me Bylisin

Astrit Premçi, ish-futbollisti dhe ish-kapiteni i Vllaznisë kampione në vitin 1998, në një bisedë për “Panorama Sport” analizon kuqeblutë në prag të sfidës me Bylisin. Ish-mbrojtësi ka qenë edhe pjesë e ekipit ballshiot dy dekada më parë, madje në sezonin kur Bylisi për herë të parë mori pjesë në Kupat e Europës.

astrit premcii

Premçi, si e shikoni ecurinë e Vllaznisë në këto 10 javë?

Mendoj se Vllaznia ka një ecuri pozitive. Ajo ka treguar një futboll me grintë dhe për më tepër një lojë të mirë në grup. I vetmi takim që nuk duhet përmendur është ai me Laçin, sepse Vllaznia në tërësi gjatë këtyre javëve ka treguar se ka një skuadër e cila ka dhënë maksimumin. Por ajo që më duket më ndryshe është që edhe gjërat në klub po funksionojnë më mirë. Ka të bëjë shumë korrektesa në pagesa ndaj lojtarëve, harmonia brenda skuadrës dhe bashkëpunimi i të gjitha hallkave. Kjo është ajo që të paktën unë shikoj nga jashtë.

Cili është mendimi juaj për trajnerin Jonuz?

Mendoj se stafi teknik ka bërë një punë shumë të mirë. Ajo që shikoj është se skuadra tregon grintë. Vrapon shumë dhe kërkon deri në fund rezultatin. E them këtë duke përjashtuar takimin e fundit në Laç. Mendoj se Jonuz ka futur një psikologji fituese në skuadër.

astrit premci

Ju keni qenë mbrojtës, çfarë ndodhi me këtë repart, ku brenda një jave, ku u zhvilluan tri takime, pësoi 7 gola?

Do veçoja takimin me Partizanin, ku nga një pakujdesi pësuam dy gola në fund dhe atë gol me Flamurtarin. Mbrojtjen do ta gjykoj vetëm në takimin me Laçin. Unë nuk futem në emra të përveçëm, por mendoj se në atë takim ky repart u shthur. Asgjë më shumë, vetëm humbje përqendrimi që ndikoi pastaj në rezultat dhe në atë shthurje të këtij reparti. Pra, Vllaznia në atë takim u shthur jo si repart i mbrojtjes, por si skuadër në tërësi. Në futboll sulmojnë të gjithë dhe mbrojnë të gjithë.

Një ngjeshje e ekipeve nga vendi i parë dhe deri tek i teti. Çfarë tregon kjo?

Kjo tregon se ekipet kanë shumë pak diferenca me njëri-tjetrin. Unë këtë e kam shikuar edhe në takimin që Vllaznia humbi me Partizanin, një ekip që sot është në vendin e parë. Për mua Vllaznia nuk e ka merituar humbjen në atë përballje. Madje mund të kishte fituar nëse do të ishte akorduar ajo penallti. Diferencat janë të vogla.

Vllaznia të hënën pret Bylisin, një skuadër ku edhe ju jeni aktivizuar, madje keni luajtur në Kupat e Europës me ballshiotët. Çfarë kanë të përbashkët këto dy skuadra?

Të përbashkët kanë tifozëritë. Edhe në Ballsh, ku është një qytezë e vogël, ka njerëz që e duan dhe jetojnë me futbollin. Në Shkodër njerëzit jetojnë me futbollin, por nisur nga emri dhe historiku që dy skuadrat kanë, synimet në çdo sezon nuk kanë qenë të njëjta. Vllaznia përherë ka luftuar për të qenë në vendet e para, ndërsa Bylisi jo gjithnjë ka tentuar pozicionet e sipërme.

Si e parashikoni Vllaznia-Bylisi këtë herë?

Pres një përballje të fortë. Bylis këtë sezon ka treguar se ka një skuadër të mirë. Po ashtu Vllaznia do të kërkojë që të harrojë Laçin dhe të kthehet te fitorja. Mendoj se shanset më të mëdha për fitore i ka Vllaznia, por siç e thashë edhe më lart, në këtë sezon rivaliteti është i madh dhe diferencat janë shumë të vogla.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"