Ka luajtur me të tria ekipet, Klodian Asllani: Apolonia e ka garën me Bylisin, Skënderbeu më i rrezikuari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2021 | 23:37

Ka luajtur me të tria ekipet, Klodian Asllani: Apolonia e ka garën me Bylisin, Skënderbeu më i rrezikuari

Klodian Asllani është një nga emrat e spikatur të futbollit shqiptar. Ish-sulmuesi është aktivizuar me shumë skuadra, madje nga 10 ekipet aktuale të Superiores, ka veshur fanellën e 6 prej tyre në periudha të ndryshme. Ai ka luajtur për Vllazninë, Partizanin, Kastriotin, Apoloninë, Bylisin dhe Skënderbeun. Ndonëse jeton në Zvicër, Asllani e ndjek me vëmendje çdo javë kampionatin. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi jep opinionin e tij për skuadrat pretendente dhe gjithashtu klubet më të rrezikuara në fundin e tabelës.

unnamed

Asllani, si ka qenë kjo periudhë pandemie për ju?

Deri tani, falë Zotit, mirë. Kufizimet tashmë janë kthyer në normalitet për shkak të situatës.

Po në aspektin sportiv-individual?

Në këtë drejtim akoma dhe më tepër të kufizuar. Në Zvicër ku jetoj unë nuk mund të shkojmë dot as në palestër. Mund ta quaj gjithçka të mbyllur me sportin. Vetëm vrapim individual si kali (qesh). Më ka marrë malli për të luajtur.

E keni ndjekur kampionatin shqiptar?

Gjithmonë, javë për javë dhe Elvin Beqiri kur drejtonte Kombëtaren U-17 me shumë vëmendje, madje jo vetëm Superioren, por edhe kampionatet e tjera në Shqipëri.

Ka përfunduar faza e dytë dhe po e nisim me fundin e tabelës, ku 3 skuadra me të cilat ju keni luajtur: Apolonia, Bylis dhe Skënderbeu po zhvillojnë një kampionat shumë të mundimshëm…

Apolonia është një ekip simpatik, me një start jo të mirë, por ruajti grupin dhe nuk bëri shumë lëvizje në merkato. Me ardhjen e trajnerit italian, besoj se do të ketë një ecuri të mirë dhe këtë e ka treguar në këto javët e fundit. Bylisi nuk është më ai ekipi i vitit të shkuar, nuk po prodhon më lojëra të bukura, mbase edhe nga penalizimet që ka pasur nga gjykimet, por edhe nga ndryshimi në masë të ndjeshme i skuadrës, me shumë largime dhe afrime. I kanë ikur disa lojtarë cilësorë dhe është zbehur si ekip. Mendoj që do të ketë ngritje në ndeshjet e ardhshme. Ndërsa për Skënderbeun më vjen shumë keq që është në këtë gjendje. Një ekip që na ka përfaqësuar denjësisht në Europë dhe tani ndodhet në fund. Ka të bëjë shumë ana psikologjike, e krijuar që kur është penalizuar. Të luash futboll dhe të mos përfaqësohesh në Europë është goditje e madhe dhe demotivim. Mendoj se Skenderbeut do t’i duhet një kohë e gjatë të ngjitet atje ku e meriton.

Cila prej tyre është më e rrezikuara?

Skënderbeu është më i rrezikuari për të rënë nga kategoria. Bylisi dhe Apolonia do të luftojnë me njëra-tjetrën për të mbijetuar. Kalojmë te pjesa e kreut.

Cilën skuadër shihni si favorite kryesore?

Pretendente numër një shoh Vllazninë, jo thjesht për diferencën e pikëve me ndjekësit. Ka bërë lojëra të mira dhe rezultatet e tregojnë. Gjithsesi, kampionati është i gjatë. Partizani do të jetë ndjekësi më i afërt i Vllaznisë. Nuk mund të lë pa përmendur edhe Laçin, që fitoi në Shkodër dhe ardhja e Duros në pankinë e ka ndryshuar. Pra, Partizani dhe Laçi do të jenë rivalet e Vllaznisë për titullin.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"