Ka luajtur me të dyja, Tafili: Vllaznia dhe Partizani zbukurojnë kampionatin, ndeshja vendoset nga një gol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2020 | 11:35

Ka luajtur me të dyja, Tafili: Vllaznia dhe Partizani zbukurojnë kampionatin, ndeshja vendoset nga një gol

Arsid Tafili, një ish-lojtar i Vllaznisë dhe Partizanit, e shikon si tepër të rëndësishme sfidën e sotme mes dy skuadrave ku ai ka luajtur. Ai beson dhe shpreson se kuqeblutë do të largohen nga pozicioni në të cilin ndodhen. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” ish-mesfushori i të dyja ekipeve ka treguar edhe arsyet e shkaqet ku çaluan Vllaznia dhe Partizani këtë sezon. Takimin e sotëm ai e shikon si një përballje të fortë e mes rivalësh me shpresën se në fund të kampionatit asnjëra nuk do të jetë në zonën “play out”.
Alsid-Tafili-1
Vllaznia edhe këtë vit është në “ujëra të turbullta”. Sa shanse ka që t’i largohet zonës “play out”?
Vllaznia ka shumë shanse që të largohet direkt nga zona “play out” me ndeshjen me Partizanin. Vllaznia me siguri ka për të kërkuar fitoren dhe në rast se arrin, ka shumë shanse që të mos shkojë në ndeshje shtesë për të siguruar mbijetesën në Superiore.

Fitorja me Kukësit rriti entuziazmin, por a ka forcë kjo Vllazni të mposhtë edhe Partizanin?
Fitorja rriti shumë entuziazmin, por nesër (sot) janë të dyja ekipet në të njëjtën situatë edhe do të jetë një lojë e kujdesshme nga të dyja skuadrat. Shanset janë të barabarta për të dyja skuadrat.

Si ish-lojtar i njihni mirë të dyja skuadrat. Ku mendoni se çaluan dhe pse nuk janë aty ku duhet këtë sezon?
Mendoj se të dyja skuadrat çaluan te menaxhimi, por edhe te prurjet që bënë në këtë sezon. Ato nuk dolën të duhurat. Ishin në sasi, por pak nga ata që mbërritën ishin cilësorë.
Partizani-Vllaznia
Çfarë ndeshjeje prisni kësaj radhe mes Partizanit dhe Vllaznisë?
Do të jetë një ndeshje ku të dyja skuadrat do të mundohen të ruhen për të mos e humbur këtë duel, por vetëm fitorja do t’i vlente Vllaznisë.

Afrimi i një sponsori a i ndihmon psikologjikisht lojtarët e Vllaznisë?
Normal që i ndihmon sepse është një mbështetje më e madhe. Normal që është edhe një kërkesë llogarie më shumë.

Lojtarët janë ankuar shpesh për gjykimin, madje numërojnë 9 penallti të munguara. A qëndron problemi i Vllaznisë vërtet këtu?
Gjykimi nuk ka qenë aq i mirë, sepse faktet ashtu tregojnë se e kanë penalizuar Vllazninë. Po të ishte bërë një video me sekuenca, do ta kuptonin të gjithë sa është dëmtuar ekipi i Vllaznisë.

Kush dëshiron të fitojë dhe cili është lojtari që do të vendosë takimin Partizani-Vllaznia?
Besoj se ndeshja do të vendoset nga një gol i vetëm, por do të jetë lojë e luftuar shumë. Shpresoj që të dyja ekipet të mos shkojnë në “play out”. Janë të dyja ekipe që zbukurojnë kampionatin tonë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"