Ka luajtur me të dyja skuadrat, Ishka: Kamza nuk rrezikon mbijetesën, Partizani luan Europën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2018 | 21:12

Ka luajtur me të dyja skuadrat, Ishka: Kamza nuk rrezikon mbijetesën, Partizani luan Europën

Sokol Ishka, si ish-futbollist i Kamzës dhe Partizanit, por edhe kampion me Dinamon, mendon se ky derbi është shumë i rëndësishëm për objektivat e të kuqve. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ish-mesfushori pohoi se Kamza nuk e rrezikon mbijetesën, ndërsa për Partizanin jetik është sfida me kamzalinjtë.

Ishka

Ai tregon arsyet që çuan në oshilacionet e të kuqve, por ka besim te trajneri i ri, Klevis Dalipi, që sipas tij, nëse i ecën, Partizani nuk ka pse të kërkojë trajner të ri. Ishshokun e tij të skuadrës, Dalipin e shikon me fat, pasi i është rikthyer në ekip një sulmues potent si Edgar Çani.

Ishka, si një ish-lojtar i Partizanit dhe Kamzës, si e shikoni këtë takim të radhës dhe a mund të quhet ky çift një derbi i kryeqytetit?

Që në kohën kur Kamza u ngjit për herë të parë në Superiore, ku në atë ekip bëj pjesë edhe unë, mediat i quajtën si derbi përballjet e saj me skuadrat tradicionale të kryeqytetit. Mendoj se është një derbi i vogël. Sa i përket kësaj ndeshjeje, di të them që Kamza ka një ekip shumë të mirë, duke e treguar veten edhe në transferta. Edhe Partizani po kalon një moment të mirë me ndërrimin e trajnerit. Mendoj se do të jetë një ndeshje e fortë, për vetë atë që kanë dhënë ekipet në javët e fundit, si dhe formën që kanë.

Të dyja ekipet kërkojnë fitoren, Kamza për të siguruar mbijetesën, ndërsa Partizani për Europën. Sipas jush, nga do të anojë takimi?

E shikoj si një ndeshje të hapur, pasi të dyja ekipet janë të forta dhe me kualitet. Kamza është shumë e fortë në fushën e saj. Ata kanë një grup të ri lojtarësh dhe i kam parë ndeshjet e saj dhe të gjithë vrapojnë shumë. Edhe Partizani ka një ekip të mirë dhe me rikthimin e Çanit bëhen më të fortë në sulm. Është një ndeshje për t’u parë, pasi të dyja ekipet vijnë në një moment të mirë.

A e shikoni Kamzën të rrezikuar, ndonëse ka distancë me Vllazninë dhe Teutën?

Personalisht mendoj se Kamza nuk e rrezikon qëndrimin në Superiore. Për pikët që ka grumbulluar deri tani dhe ekipin që ka, besoj se Kamza nuk e diskuton mbijetesën. Ekipi që do të shoqërojë Lushnjën në Kategorinë e Parë, me keqardhje për të dy klubet, por për mua do të ndahet mes Teutës dhe Vllaznisë. Gjithçka mund të ndodhë, por Kamzën e favorizon grumbullimi i pikëve në pjesën e parë të sezonit. Ndaj, besoj se pikët që i duhen për të siguruar matematikisht qëndrimin në Superiore, do t’i marrë në javët në vazhdim.

Po Partizani, mendoni se do ta arrijë zonën europiane?

Gjersa janë tri pikë larg kësaj zone, Partizani i ka mundësitë që të sigurojë një biletë për në Europë. Them se vendimtare për të kuqtë është ndeshja e radhës me Kamzën. Kjo sfidë është shumë e rëndë- sishme për Partizanin, pasi me rivalët direkt që ka më pas, Laçi dhe Kukësi, është tjetër gjë. Nëse merr trepikëshin me Kamzën, atëherë Partizani është pretendent serioz për Europën. Të vështirë e shikoj, pasi Kamza ka treguar se është një “kockë” e fortë në këtë sezon.

Si i komentoni luhatjet e shumta të “demave”, kryesisht në sezonin e fundit?

Luhatjet e Partizanit janë të dukshme, por tifozët kanë pritur më shumë nga ky ekip, pasi ishte menduar si pretendenti kryesor për titullin kampion. Besoj se diçka nuk ka funksionuar aty brenda klubit. Baza e ekipit është po ajo që ishte edhe vjet që ishin pretendentë kryesorë për titull. Baza është e përbërë me lojtarë shumë të mirë, por afrimet e kryera në merkato nuk kanë qenë efikase për Partizanin.

Ikën Starova dhe “gradohet” Dalipi. Si i shikoni ndryshimet e fundit në stolin drejtues?

Starova është një njohje e vjetër për Partizanin. Kur e kam filluar sportin si profesionist, për herë të parë në ekip më ka afruar Starova. Drejtuesit e klubit e dinë atë punë dhe mbas kanë menduar të bëjnë një lëvizje për të mirën e skuadrës. Por, edhe Dalipi si trajner i dytë, që ka bashkëpunuar me Sulën (Starovën), them ka marrë mësimet e tij. Dalipin e kam pasur shok ekipi. Si futbollist ka qenë shumë i përkushtuar në fushë dhe mendoj se edhe si trajner është i tillë, pasi i rri ekipit te koka. Ai e ka nisur me rezultate të mira dhe them se do të bëjë mirë aty ku është. Më duket se është në rrugë të mbarë.

Nëse ka ecuri dhe rezultate pozitive, a i duhet besuar ekipi Dalipit edhe për sezonin e ri?

Pa dyshim që po. Nëse Dalipi vijon me këtë ecuri, mendoj se Partizani nuk ka pse të kërkojë trajner tjetër për sezonin e ri.

A e konsideroni me shans Klevisin (Dalipin), pasi në ekip është rikthyer edhe Çani që plotëson boshllëkun në sulm?

Sigurisht që ky është një shans për trajnerin Dalipi, pasi Çani ka qenë sulmues i Kombëtares. Ai është një lojtar potent dhe po të jetë mirë fizikisht mbetet një nga sulmuesit më të mirë në Superiore. Po të shikojmë golin që shënoi ndaj Flamurtarit, është një veprim i sulmuesve botërorë, pasi u ngrit shumë lart dhe goditi me kokë. Thjesht, ky gol tregoi se Çani ka aftësi shumë të mira.

Në fund, keni ndonjë koment për problematikën e fundit të Skënderbeut, i cili mund të përballet me një ndëshkim të rëndë nga UEFA?

Sa i përket Skënderbeut, unë dua të flas vetëm për futbollin e luajtur në fushë. Kanë një trajner që unë gëzoj një respekt të veçantë, pasi kam punuar me atë te Dinamo. Si unë mendojnë edhe shumë të tjerë, që Ilir Daja është trajneri më i mirë në Shqipëri. Vlerësimi im për Skënderbeun është për atë që ka treguar në kampionat dhe Kupat e Europës, duke qenë ekipi më i mirë në Shqipëri. Nuk jam tifoz i Skënderbeut, por vlerësoj lojën që atë bëjnë, kështu që nuk dua t’i hyjë pjesës tjetër, pasi nuk e di si është e vërteta.

ILIR CARA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"