Ka luajtur me të 2 ekipet, Zmijani: Vllaznia i mund milionerët e kuq…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2019 | 23:34

Ka luajtur me të 2 ekipet, Zmijani: Vllaznia i mund milionerët e kuq…

Luan Zmijani, tra jneri i ekipit të U-19 të akademisë Vllaznia, duket se ka ndryshuar mendje për ecurinë e shkodranëve nga starti i sezonit dhe deri tani.

luan zmijani

Sipas Zmijanit, situata në ekip ka ndryshuar për mirë dhe për këtë meritë ka pa diskutim stafi teknik i ekipit që ka vënë dorën e tij në këtë skuadër. Nga ana tjetër, ish-futbollisti i Vllaznisë, por edhe i Partizanit në vitet e bukura për të dyja këto skuadra, ka vënë theksin te gjërat e përbashkëta, avantazhet dhe disavantazhet që kanë të dyja skuadrat para kësaj sfide.

Keni qenë edhe ju mes skeptikëve të startit të kësaj Vllaznie, por pas 7 javësh shikojmë një skuadër ndryshe…?

Është e vërtetë që kemi qenë disi skeptikë me këtë Vllazni, por dua të them se rezultatet e kësaj skuadre, dhe sidomos trepikëshi me Kukësin, i ka dhënë më shumë ngrohje dhe besim kësaj skuadre, edhe pse jo për të shikuar për lart, por pikësëpari, për të kapur tri pikët e radhës me Partizanin.

Ju keni qenë pjesë e të dyja  këtyre skuadrave, si Partizanit dhe Vllaznisë. Çfarë shikoni të përbashkëta? Sa avantazhe dhe disavantazhe ka Vllaznia me Partizanin?

Të përbashkëtat këto dy skuadra, historikisht, edhe kur unë kam luajtur me Partizanin, se pjesën më të madhe e kam te Vllaznia, do të them se kanë tifozllëkun e madh. Të dyja këto skuadra mbështeten fuqishëm nga tifozëritë e tyre. Të ndryshme këto dy skuadra mendoj se në këto momente Partizani ka më shumë financa. Partizani, një skuadër tejet e paguar, ndërsa te Vllaznia, pavarësisht se korrektesa në pagesa ekziston, sërish pagat janë më të ulëta. Dua të them se janë të barabarta pothuajse me pikë, por nëse Vllaznia merr një trepikësh në këtë takim direkt që kanë mes tyre, mund të jenë të barabartë edhe për objektiva. Ndërsa të favorizuar e shikoj Vllazninë për të arritur një fitore në përballjen e kësaj fundjave.

Prisni një stadium të mbushur për këtë sfidë nisur nga situata që gjendet të dy ekipet dhe po ashtu edhe nga ajo që theksuat të parën si e përbashkëta e këtyre dy skuadrave?

Shpresoj dhe besoj se do të jenë të shumtë tifozët në shkallët e stadiumit. Tifozët e Vllaznisë kërkojnë një skuadër që të jetë me këto ritme dhe me lojëra të bukura dhe ata nuk hezitojnë të jenë pranë ekipit. Këtë shpresoj dhe besoj se do ta bëjnë edhe në këtë takim. Ata janë një mbështetje e madhe për ekipin tonë.

Çfarë ka ndryshuar, sipas jush, te kjo Vllazni?

Unë shikoj një Vllazni perfekte në fazën mbrojtëse, gjë që i ka munguar në vitet e tjera. Shikoj një ekip më me ego dhe më me dëshirë dhe këtu, pa asnjë diskutim, ndihet dora e trajnerit dhe kuptohet shumë mirë se me ndeshjet në vazhdimësi pretendimet mund të jenë edhe më të larta.

Zmijani, duke u kthyer tek ekipi juaj, ai U-19, duket se nuk është ai ekipi i dy sezoneve të kaluara?

Normale që kur largohen 10 futbollistë, një brez i tërë, duhet kohë që të formohet ekipi. Gjithsesi, përherë kështu e kemi pasur startin dhe më pas situata ka ndryshuar. Ne punojmë jo vetëm për rezultat, por për t’i dhënë ekipit të parë lojtarët që duhen. Këtë e kemi bërë mirë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë.

Testet me ekipin e parë janë pozitive edhe për këta djem, pasi janë edhe në fokusin e trajnerit të skuadrës së parë. Pra, vendimet janë të përbashkëta. Unë kam besim sërish te djemtë e këtij ekipi që kam se do të jenë sërish në majat e futbollit të kësaj kategorie.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"