“Ka lojtarë që e marrin ushqimin me vete në shtëpi”, dietologia e Barcelonës zbulon sekretet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2019 | 18:44

“Ka lojtarë që e marrin ushqimin me vete në shtëpi”, dietologia e Barcelonës zbulon sekretet

Maria Antonia Lizarraga është përgjegjësja e ushqyerjes së futbollistëve të Barcelonës. Gjatë një jave të mbushur me konferenca, organizuar nga klubi katalanas, nutricionistja u ndal të zbulonte disa nga sekretet e ushqimit të lojtarëve të Valverdes gjatë një interviste për “Sport”.

Dietologia e Barces

Cili është roli yt te Barcelona?

Unë jam përgjegjëse për ushqyerjen në klub prej 9 vitesh. Kryesisht për skuadrën e parë, por edhe për ekipet e tjera të klubit. Ne punojmë me ekipin mjekësor dhe trajnerët e fitnesit.

Planifikimi varet nga koha e sezonit. Në çfarë pike jemi në këto momente, duke qenë se sapo e kemi nisur sezonin?

Javët e para të fazës përgatitore, përveç atyre në tur, kur nuk kemi shumë kohë, është momenti për të provuar gjëra të reja. Vijnë futbollist të rinj, bëhen testet për të parë gjendjen e tyre dhe prej këtij momenti, ne vendosim të ndërtojmë një plan për t’i ndihmuar ata që të arrijnë në formën më të mirë të mundshme dhe ta ruajnë atë gjatë gjithë sezonit.

Shumë është përfolur për mbipeshën e Hazardit. Pa folur specifikisht për këtë çështje, çfarë duhet të bëjë një klub kur ndodhin gjëra si këto?

Pushimet janë një periudhë në të cilën është normale të ketë ndryshime të peshës, jo vetëm sepse disa nga lojtarët hanë çfarë të duan, por sepse ka më pak aktivitet fizik. Por futbollistët janë mjaftueshëm profesionistë për ta përmbysur situatën në javët e para të fazës përgatitore dhe të rikthehen në formën optimale.

Shumë është folur për marrëdhënien mes dietës dhe parandalimit të dëmtimeve. A është dieta formula magjike për të parandaluar dëmtimet?

Ne e dimë se gjatë një sezoni një futbollist mund të kalojë nga forma optimale, në dëmtimet të shpeshta. Objektivi ynë është të përshtatim dietën, kështu që ata të përmirësojnë vazhdimisht gjendjen e tyre fizike dhe të mos dëmtohen. Futbollistët janë gjithnjë e më shumë të vetëdijshëm për lëngjet specifike, xhelatinat dhe ushqimet që mund t’i ndihmojnë. Është e rëndësishme që ata ta zbatojnë me përpikëri dietën, për të mos u dëmtuar. Shikoni rastin e Mesit.

Në një moment të karrierës, ai ndryshoi dietën e tij për të reduktuar dëmtimet. Zakonisht, nëse një lojtar dëmtohet rregullisht apo ka një dëmtim serioz, ata nisin të pyesin nëse ka gjëra që mund t’i ndihmojnë. Nga ai moment, ata hyjnë në rutinë. Gjëja e rëndësishme është edukimi i vetvetes.

Ka shumë lojtarë vegjetarianë, si Denis Suarezi tani?

Në klub kemi lojtarë që në momente të caktuara kanë zgjedhur një dietë vegane. Në ditët moderne, nuk ka problem për lojtarët elitarë që të kenë një dietë vegjetarianë, nëse marrin këshillat e duhura.

Ndonjë kërkesë pikante në klub?

Pija e çuditshme e arrës së kokosit, supa gazpaço… Nëse dikujt i pëlqen diçka dhe nëse ne mendojmë se është e përshtatshme, përse të mos ia plotësojmë dëshirën.

Shumë është folur për dietën e Dembelesë. Ndonjë plan specifik me të?

Për Dembelenë dhe pjesën tjetër, ne ofrojmë ndihmë maksimale për t’i ndihmuar ata që të kenë një dietë të mirë në shtëpi. Ka lojtarë që e marrin ushqimin me vete në shtëpi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"