Ka humbur vetëm 1 ndeshje, Guardiola kthehet në “tempullin” Bernabeu. Spanjolli: Faleminderit Zizu, por s’jam më…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2020 | 12:38

Ka humbur vetëm 1 ndeshje, Guardiola kthehet në “tempullin” Bernabeu. Spanjolli: Faleminderit Zizu, por s’jam më…

Pep Guardiola rikthehet në “tempullin” e tij. Në “Bernabeu” ai ka humbur vetëm 1 ndeshje në 8 të tilla. Disfata e vetme ishte 1-0 kur ishte në stolin e Bajernit në Champions 2013-’14, e cila ishte preludi i humbjes 4- 0 në shtëpi me madrilenët. Në konferencën për shtyp ai falënderon Zidanin për elozhet e tij, ndërsa i kthen edhe një përgjigje Tomas Mylerit që e kritikoi se si e përgatitën atëherë duelin me spanjollët.

Guardiola

A do të jetë gati Rahim Sterling për të luajtur kundër Realit?

Gjendja e tij fizike është e shkëlqyer dhe mund të kishte luajtur që kundër Uest Hemit dhe Lestërit, por doktori donte të bënim kujdes. Është gati.

A është ky shansi i fundit i Sitit për ta fituar Championsin? 

Absolutisht jo. Këta lojtarë do të kenë shumë mundësi për ta fituar. Luajmë ndaj një skuadre të madhe. E dimë sfidën që kemi përballë. Dëshira për të fituar duhet të jetë aty, por është një tjetër ndeshje. Ne kemi të drejtën për ta apeluar vendimin e UEFA-s. Unë kam besim te klubi im. Ata më treguan prova. Jam optimist. Meritojmë të jemi në Champions. Nëse nuk ndodh, atëherë duhet ta pranojmë fatin tonë me njerëzit që duan të qëndrojnë.

Guardiola-2

A duhet fat për ta fituar Champions-in?

E para, duhet të luash mirë. Duhet të jesh i fortë, të kesh cilësi dhe duhet të kesh edhe fat.

Tomas Myler ju kritikoi se ju i kushtoni shumë rëndësi kundërshtarit. Çfarë mendoni për këtë deklaratë?

Kur një ish-lojtar thotë këtë, nuk është një kritikë. Është informacion për mua. Unë nuk kam luajtur kundër Realit për 5 vite. Ndonjëherë i vë shumë rëndësi. Tomas dhe lojtarët e tjerë nuk mund të thonë se unë nuk i përgatita për një ndeshje: te Barça, Bajerni dhe Siti. Si lojtarë, sa më shumë informacion të kesh, aq më e lehtë është të përballesh me rivalët. Ndoshta ai ka të drejtë. Unë përpiqem gjithnjë që t’u jap besim lojtarëve.

Zidan ju quajti trajnerin më të mirë në botë… 

Dua ta falënderoj për fjalët e tij dhe nuk dua t’ju kundërshtoj, por nuk jam. Nuk kam pretenduar kurrë se kam qenë më i miri në profesionin tim. Nuk e kuptoj se cili është më i miri kur artistët janë futbollistët. Edhe kur e nisa karrierën, nuk kisha synim të bëhesha më i miri. Kur fiton, të lavdërojnë dhe kur humbet, vlen më pak. Ajo që Zidan ka bërë në Europë (3 Champions radhazi) është e papërsëritshme.

 Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"