“Ka futbollistë që nuk dinë të vendosen”, trajneri i Elbasanit: Lojtarët, si “Andon Ledhi”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2018 | 20:13

“Ka futbollistë që nuk dinë të vendosen”, trajneri i Elbasanit: Lojtarët, si “Andon Ledhi”

Disa lojtarë të Elbasanit janë bërë si Andon Ledhi”. Është kjo deklarata e fortë e trajnerit të komanduar tek Elbasani, Elvis Kotorri, i cili kujton filmin shqiptar për të treguar situatën, me të cilën po përballet këtë periudhë. Në një prononcim enkas për “Panorama Sport”, Kotorri tregon shqetësimet që po i vijnë nga prindërit me ndërhyrjet e shumta që po bëjnë për fëmijët e tyre dhe u bën thirrje publikisht që të shohin punët e tyre.

Elvis Kotorri Elbasani

“Tek Elbasani ka lojtarë që janë bërë si te filmi shqiptar me personazhin Andon Ledhi, ku u bënë shumë ndërhyrje për të fituar konkursin. Me keqardhje e them që në klubin tonë ka lojtarë si ai i personazhit të filmit, me prindërit që bëjnë ndërhyrje dhe nuk lënë njeri pa futur mik për të luajtur. U them atyre publikisht që të shohin punët e tyre, ai që di të luajë futboll di, është e thjeshtë. A ka trajner në botë që nuk dëshiron ta fusë në lojë një lojtar të mirë? Nuk besoj se ka. Elbasani ka në përbërje lojtarë që nuk dinë të vendosen në fushë akoma dhe nuk orientohen në hapësirë dhe kohë, ndërkohë që duan të luajnë. Unë u them këtyre futbollistëve që ta shfrytëzojnë këtë moment në të cilin gjendet Elbasani për të mirën e tyre, sepse në pozita të tjera nuk do ishin fare në ekip. Nuk kam pasur probleme të mëdha, por telefonata dhe u them të bëjnë stop, nuk do luajë ndonjë pa e merituar. Pothuajse i kam futur të gjithë lojtarët në fushë dhe e kemi parë se në çfarë gjendjeje janë”, u shpreh fillimisht shumë i revoltuar tekniku Elvis Kotorri.

Situata

Më tej, Kotorri sqaroi edhe pozicion e tij në krye të pankinës elbasanase, teksa pohoi se do të qëndrojë deri në momentin që do të gjendet një trajner tjetër dhe do të vijojë të jetë trajner portierësh. “Sa i përket poziciot tim si trajner, dua të theksoj se do të qëndroj në këtë detyrë deri kur klubi të gjejë një tjetër dhe unë do rikthehem në pozicionin tim të mëparshëm si trajner i portierëve. Shpresoj që sa më shpejt të gjendet një trajner për skuadrën. Sa u përket rezultateve, kuptohet që nuk kanë qenë të mira, por besoj se do të bëjmë më mirë në këto ndeshje që kanë mbetur dhe të marrim pikë. Në janar më pas të hyjmë në merkato dhe të bëjmë ndërhyrje për të përforcuar skuadrën. Besoj se do të vijë edhe kthesa në rezultate”, vijoi më tej trajneri i komanduar Elvis Kotorri, i cili përpos shumë problemeve duhet të merret edhe me ndërhyrjet e prindërve.

Pas pesë javëve të para, Elbasani renditet në vendin e fundit me po kaq humbje. Ekipi ka pësuar 11 gola dhe ka shënuar vetëm tre. Duket se edhe këtë sezon, verdheblutë do të vazhdojnë të luftojnë për t’i mbijetuar rënies në Kategorinë e Dytë. Skuadra përbëhet nga lojtarë të rinj që nuk kanë eksperiencën e duhur dhe kjo ka sjellë shumë probleme. Në ndeshjen e fundit në Ballsh, verdheblutë pësuan tre gola që në pjesën e parë, duke i mbyllur historitë me atë takim

FABULA E FILMIT

“Tela për Violinë” është një prej filmave më të ndjekur të realizuar në kohën e komunizmit. Andoni një violinist i ri po studion seriozisht për konkursin e pranimit në Akademinë e Arteve të Bukura. Por, Kozmai i ati, i cili mendon se i biri nuk mund ta fitojë konkursin pa ndërhyrje lëshon alarmin dhe mobilizon të gjithë miqtë dhe të afërmit. Një lëvizje e të gjithë miqve që e kthejnë emrin e “Andon Ledhit” në makth për kryetarin e Komisionit, Muço.

maxresdefault

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"