Ka disa ditë që po ndihmon ekipin e parë, Flamurtari projekton trajnerin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2021 | 10:27

Ka disa ditë që po ndihmon ekipin e parë, Flamurtari projekton trajnerin e ri

Fjodor Xhafa projektohet si trajner i Fla murtarit. Pas dorëheqjes së Dritan Resulit, trajneri vlonjat Xhafa shihet si njeriu i duhur që mund të marrë përsipër ekipin në këtë moment të vështirë dhe për ta nxjerrë nga kriza. Burime pranë drejtuesve të Flamurtarit thanë për “Panorama Sport”, se 44-vjeçari për momentin është kandidati i vetëm që mund të marrë drejtimin e ekipit.

Flamurtari Fjodor Xhafa

Xhafa e njeh mjaft mirë ambientin në Vlorë për shkak se prej vitesh është trajner në akademinë e futbollit, ndërsa momentalisht trajner i ekipit U-19 të Flamurtarit. Po ashtu, ai njeh edhe lojtarët që aktualisht ekipi i parë ka në dispozicion, pasi i ka trajnuar vetë në ekipin e të rinjve.

Duke parë të gjitha këto, drejtuesit e klubit kanë gjykuar se Xhafa është kandidati më potencial për të marrë drejtimin e ekipit. Në këto kushte, Xhafa është afruar ditët e fundit për të ndihmuar përgatitësin atletik Rui Sampaio, duke qenë se pas largimit të Resulit, portugezi mbeti i vetëm, pasi edhe zv.trajneri Bledion Guga ka dhënë dorëheqjen më parë për arsye personale.

PRAPASKENAT – Në Vlorë janë të vendosur që të gjejnë një trajner të ri për stolin, ndërsa nuk kanë ndërmend që ta lënë gjatë portugezin Rui Sampaio në krye të pankinës. Pavarësisht vlerësimit për punën e tij, ai do të qëndrojë në ekip për atë që erdhi, si përgatitës atletik, ndërsa në rolin e trajnerit do të emërohet një tjetër.

Duke qenë se Sampaio po përgatit ekipin gjatë kësaj jave, do t’i lihet mundësia që të jetë pikërisht ai në pankinë edhe për ndeshjen me Elbasanin. Gjasat janë që të ketë një emërim të trajnerit të ri javën e ardhshme, por nuk përjashtohet që të bëhet edhe brenda kësaj jave. Gjithsesi, çdo gjë mbetet për t’u parë.

Klubi vlonjat e ka brenda familjes pasuesin e Resulit. Trajneri i U-19- vjeçarëve, Fjodor Xhafa, është afruar tashmë pranë ekipit të parë në rolin e ndihmësit të Sampaios, por praktikisht është ai kandidati i vetëm i momentit për të marrë drejtimin e Flamurtarit. Për arsye pune, administratori Sinan Idrizi ka qenë ditët e fundit në Turqi dhe me t’u kthyer prej andej, pritet që të ulet me trajnerin Xhafa dhe t’i kërkojë të marrë drejtimin e pankinës vlonjate.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"