Ka bindur trajnerin Inzagi, flet Sensi: Duam të mbrojmë titullin kampion!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2021 | 17:35

Ka bindur trajnerin Inzagi, flet Sensi: Duam të mbrojmë titullin kampion!

Stefano Sensi ka qenë një nga surprizat e bukura për trajnerin Inzagi në këtë fazë përgatitore. Sezonet e tij të mëparshme, të karakterizuara nga një kalvar i gjatë dëmtimesh, ia kanë ulur ritmin mesfushorit që këtë vit pret të bëjë rikthimin e madh.

SENSI

I favorizuar nga largimi i Antonio Kontes, i cili përveç një marrëdhënieje jo të mirë me 25- vjeçarin akuzohej edhe si një nga fajtorët kryesorë të dëmtimeve të lojtarit me metodën e tij të punës dhe nga sëmundja e Kristian Eriksenit, që uli ndjeshëm konkurrencën për një vend titullari, futbollisti po gjen formën dhe motivimin e duhur për të qenë një nga të besuarit e teknikut Inzagi.

Në intervistën e dhënë për kanalin zyrtar të klubit, Sensi ka shprehur optimizmin e tij për sezonin që pritet të nisë duke pohuar objektivat dhe vlerësimin për punën e trajnerit të ri.

JAVËT E PARA TË PUNËS – “Jam mirë, ka entuziazëm, ne po punojmë për t’u përgatitur sa më mirë për këtë sezon që do të jetë shumë konkurrues, por ne do të tentojmë të përmirësohemi”.

OBJEKTIVAT – “Qëllimi do të jetë mbrojtja e Skudetos, ne duhet të japim gjithçka. Ekziston entuziazëm dhe dëshirë për të punuar dhe kjo është një pikënisje e shkëlqyer”.

TRAJNERI DHE STAFI I RI – “Unë kam përshtypje shumë pozitive për Inzagin dhe për gjithë stafin, që përbëhet nga njerëz të trajnuar që duan të punojnë dhe të cilët po na transmetojnë idenë e tyre të lojës. Ne jemi të lumtur me këtë, po ndihemi shumë mirë me njëritjetrin”.

NISJA E SEZONIT ME XHENOAN – “Na kanë munguar tifozët për një kohë të gjatë dhe nëse do të debutonim me ta, do të ishte e shkëlqyer. Sigurisht që do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi Xhenoa është një ekip i mirë dhe sepse të gjithë do të duan ta fillojnë mbarë kampionatin. Do të përgatitemi sa më mirë për të marrë në shtëpi tri pikët”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"