“Ka atmosferë pas fitores në Kupë”, mesushori i Egnatias: Shpresoj të luaj ndaj Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2021 | 17:57

“Ka atmosferë pas fitores në Kupë”, mesushori i Egnatias: Shpresoj të luaj ndaj Dinamos

Pas kualifikimit historik në Kupë, Egnatia ka nisur përgatitjet për ndeshjen e së hënës ndaj Dinamos, që do të luajë në “Elbasan Arena”. Atmosfera te rrogozhinasit është fantastike dhe trajneri Gugash Magani i gëzohet në këtë moment formës së mirë dhe faktit që ka grupin e plotë në dispozicion.

egnatia

Një rikthim i madh tek Egnatia është edhe mesfushori brazilian, Guilherme Eller, i cili e ka kaluar plotësisht periudhën e keqe nga dëmtimet. Për “Panorama Sport”, Eller ka folur për momentin e keq që kaloi, ndërsa pret të bëjë zyrtarisht debutimin në Superiore me fanellën e Egnatias, pikërisht kundër Dinamos.

“Mes nesh ka ende atmosferë festive pas kualifikimit në Kupë. U meritua gjithçka në atë përballje të luftuar, ashtu si herën e parë. Duke qenë prezent vetë u ndjeva i kënaqur që arritëm qëllimin tonë final. Egnatia po konfirmohet mirë javë pas jave. Klubi ka punuar shumë për të qenë konkurrues dhe unë jam i lumtur që jemi në rrugën e duhur. Ndihem shumë mirë, pasi edhe dëmtimin e kalova.

Mora disa minuta në ndeshjen e U-21 në Shkodër dhe u ndjeva mirë. Nuk kam asnjë problem tashmë për të luajtur normalisht dhe të jem në dispozicion të trajnerit”, ka thënë fillimisht mesfushori, i cili më pas foli edhe për sfidën e radhës në kampionat me Dinamon.

“Shpresoj të luaj ndaj Dinamos, pasi është një ndeshje e rëndësishme, ku ne duhet të ruajmë ritmin. Ndjehem i lumtur dyfish që jam i gatshëm të bëj debutimin në Superiore dhe pse jo t’i sjell fat ekipit duke arritur një fitore.

Tani ka ardhur momenti të rifitoj kohën e humbur nga dëmtimi dhe të bëj një sezon të madh me fanellën e Egnatias”, përfundoi braziliani Eller.

ALDO BUZI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"