“Ka ardhur momenti të marrim tre pikëshin në transfertë”, Kanarsa: Kundër Besës nis ngjitja e Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2021 | 10:06

“Ka ardhur momenti të marrim tre pikëshin në transfertë”, Kanarsa: Kundër Besës nis ngjitja e Apolonisë

Apolonia u ka dhënë fund përgatitjeve për Besën, një ndeshje që konsiderohet shumë delikate për fierakët. Ndonëse luhet në transfertë, të besuarit e trajnerit Kanarsa do të kërkojnë trepikëshin. Atmosfera te bardhejeshilët duket e qetë dhe stafi e ka të plotë grupin për Besën. Trajneri Juri Kanarsa në një prononcim për “Panorama Sport” ka theksuar se fitorja ndaj Butrintit i ka motivuar më shumë futbollistët dhe tani vëmendja e tyre është te transferta e Kavajës. Ai vlerëson gjithashtu lojtarët e rinj dhe të perspektivës që ka ekipi dhe e cilëson duelin me Besën si një ndeshje mjaft të rëndësishme. Në fund, trajneri u ndal edhe te formacioni i mundshëm dhe dilemat për titullarët që do të zbresin sot në fushë.

JURIJ KANARSA

Trepikëshi me Butrintin në javën e fundit, sa ju ka ndihmuar duke parë pozicionimin e Apolonisë në renditje?

Arritëm të merrnim me meritë pikët e plota me Butrintin dhe, sigurisht, fitorja solli një frymë pozitive në ekip. Pozicioni në renditje nuk është ai i dëshiruari, mirëpo ne kemi ndeshje të tjera përpara dhe do të bëjmë më mirë në vazhdim duke nisur nga transferta me Besën.

Jeni i kënaqur me angazhimin e lojtarëve gjatë këtyre ditëve për të sfiduar denjësisht Besën në javën e shtatë të kampionatit?

Lojtarët e mi janë stërvitur çdo ditë dhe në çdo seancë stërvitore kanë dhënë maksimumin e tyre. Ekipi ka më shumë lojtarë të rinj dhe këta kanë nevojë për më shumë minuta në dispozicion, pasi janë në fillimet e karrierës së tyre.

Çfarë prisni nga lojtarët në këtë transfertë delikate?

Sigurisht që pres vazhdimësinë e punës që kemi nisur së bashku. Prej disa muajsh po e stërvis rregullisht ekipin. Ka ardhur momenti që të marrim pikët e plota në transfertë pas atyre rezultateve zhgënjyese në javët e para të kampionatit.

A do të ketë ndryshime në formacion?

Kam dilema për formacionin dhe nuk kam vendosur përfundimisht për lojtarët titullarë. Por, jam i bindur se titullarët që do të përzgjedh në këtë takim, do të japin maksimumin e tyre dhe do të luftojnë deri në sekondën e fundit për të mos dalë pa pikë nga dueli me Besën.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"