“Ka ardhur momenti për fitore”, Kallaku: Jam stërvitur dhe gjatë karantinës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2020 | 14:27

“Ka ardhur momenti për fitore”, Kallaku: Jam stërvitur dhe gjatë karantinës

Sherif Kallaku në një intervistë për “Panorama Sport” ka folur për takimin e radhës me Tiranën. Mesfushori i Teutës nuk e fsheh se e dëshiron tri vendet e para në klasifikim, por kërkon edhe Kupën e Shqipërisë si dhuratë për 100-vjetor, ndërkohë ai e cilëson Tiranën një skuadër mjaft cilësore. Ai është i bindur që Teuta i ka mundësitë për të marrë tri pikët. “Objektivi ynë është të marrim pjesë në Kupat e Europës”, thotë Kallaku për gazetën.

kallaku batha
Sherif, ndeshja me Tiranën është shumë e rëndësishme për aspiratat e klubit, por edhe për ju, pasi të tilla ndeshje ju rrisin vlerat e kartonit sepse jeni në fokusin e të gjithëve?
Normalisht, rëndësia e kësaj ndeshjeje është njësoj sikur ndaj Bylisit, Luftëtarit apo ndaj çdo ekipi tjetër. Çdo ndeshje ka rëndësinë e saj. Ne do të hyjmë në fushë për të marrë një rezultat pozitiv dhe shpresoj që të gjithë bashkë të bëjmë një performancë sa më të mirë për të marrë tri pikët. Kemi katër javë pa fitore dhe mendoj që ka ardhur momenti për të marrë një trepikësh.

Çfarë i ka munguar skuadrës në këto javë, pasi shohim që kur Kallaku nuk është në atë ditën e tij më të mirë, duket se Teuta vuan?
Unë mendoj që Teuta ka zhvilluar ndeshje të mira. Në Laç kishim mundësi për të fituar. Ndaj Bylisit nuk zhvilluam një ndeshje të mirë, por edhe Bylisi nuk mendoj se dha më shumë se ne. Mendoj që jemi një grup që nuk bazohemi tek individët si Kallaku, Arapi, Vila apo ndonjë lojtar tjetër. Jemi një ekip që mbahemi te grupi dhe kur jemi të gjithë mirë dhe kur japim të gjithë zemrën në fushë, gjithmonë kemi arritur të marrim rezultate pozitive. Në këtë ndeshje shpresoj të jemi të gjithë si grup siç kemi qenë në ndeshjet e kaluara, pavarësisht fatit, pasi në futboll duhet pak fat dhe shpresoj ta kalojmë me sukses këtë ndeshje.

teuta
Kjo ndeshjen vlen shumë edhe për Europën, por nga ana tjetër Teuta synon Kupën. Ju e shikoni veten me durrsakët në Europë apo…?
Unë, si fillim, shpresoj që të arrijmë objektivat e klubit. Më pas, i përket presidencës të vendosë për të ardhmen time. Kam ende edhe tetë ndeshje për të zhvilluar dhe shpresoj të jap maksimumin. Shpresoj që t’i kemi të dyja në favor, si në kampionat, por edhe në Kupë për të arritur tek objektivi. Kupa është një ndeshje teke dhe mund të shkosh në finale e mund ta humbësh. Gjithsesi, do të preferoja më shumë nga kampionati, por edhe finalen e Kupës, pasi është një ndjesi e bukur për ne lojtarët. Për 100-vjetor kam dëshirë ta sjellim Kupën e Shqipërisë në Durrës për tifozët durrsakë.

Në dy ndeshjet e fundit shikojmë performancën tuaj me dy gola, një me 11-metërsh, por edhe një gol në minutën e 79-të ndaj Vllaznisë…
Të jem realist, unë jam stërvitur edhe gjatë karantinës, duke mos e ndalur në asnjë moment përgatitjen. Ndoshta i kam thyer dhe pak rregullat, por mendoj që jam shumë mirë fizikisht dhe mundohem të jap 100% në çdo stërvitje për të qenë akoma më mirë.

A mendoni që në këto ditë të nxehta do të jetë më e vështirë për ju dhe ekipin të bëni një performancë më të mirë?
Po, kemi zhvilluar dy ndeshje në orën 17:00, me gjithë vështirësinë e vapës, por çdo lojtar nga ne duhet të jetë psikologjikisht mirë dhe mos ta ketë mendjen te lodhja. Për të fat të mirë, me Tiranën e kemi në mbrëmje, është një kohë e mirë për t’u zhvilluar ndeshja. Shpresoj të jemi të gjithë në formë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"