Ka ankth për Mustafov, mbrojtja e Teutës jep sinjale… shërimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2018 | 20:11

Ka ankth për Mustafov, mbrojtja e Teutës jep sinjale… shërimi

Teuta u ka dhënë fund përgatitjeve në Antalia. Pas 19 ditësh, durrsakët janë rikthyer mbrëmjen e djeshme në Shqipëri për të filluar javën anti-Lushnja. “Djemtë e detit” paraditen e së premtes zhvilluan seancën e fundit në tokën turke, duke mbyllur kështu një fazë intensive përgatitjesh. Për shkak edhe të ngarkesës së lartë gjatë kësaj periudhe, stafi teknik ka menduar që dje stërvitja të jetë më e lehtë.

Teuta

Futbollistët, të cilët u aktivizuan në fushë në takimin me Atyrau, zhvilluan vetëm disa ushtrime të lehta, ndërsa pjesa tjetër punoi normalisht. Burhan Mustafov ka shqetësuar stafin teknik. Në miqësoren kundër kazakëve, maqedonasi pësoi një dëmtim dhe nuk dihet ende koha që mesfushori do të marrë për t’u rikuperuar.

Për të mos e rrezikuar, dje lojtari nuk punoi me grupin, megjithatë shkalla e dëmtimit do të mësohet të shtunën, pasi lojtari të kryejë ekzaminimet e duhura. Dëmtimi i tij vjen në një moment tepër delikat, pasi të premten e ardhshme rifillon kampionati, ndërsa në mesjavë (31 janar) bregdetarët do të luajnë çerekfinalen e parë në Kupën e Shqipërisë kundër Skënderbeut në “Niko Dovana”.

Mustafov

Në tërësi, stafi teknik është i kënaqur me atë që ekipi ka bërë gjatë kësaj periudhe, pasi për pjesën më të madhe të kohës është punuar me dy seanca stërvitore në ditë. Miqësoret e zhvilluara kanë dhënë sinjale pozitive, pasi Teuta ka pësuar vetëm një gol (një autogol). Statistikat duken tepër pozitive, megjithatë kundër Lushnjës, që do të jetë edhe ndeshja e parë zyrtare për këtë vit, bregdetarët do të tregojnë nëse kanë progres.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"