Ka akord me 3 lojtarë, Kamza pret edhe Rexhinaldon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2017 | 17:10

Ka akord me 3 lojtarë, Kamza pret edhe Rexhinaldon

Pas konfirmimit të parë zyrtar, brazilianit Bruno Arrabal, merkatoja e Kamzës është orientuar nga tregu vendas dhe gjatë këtyre ditëve, pritet që të ketë edhe lëvizje të tjera. Presidenti Qarri në bashkëpunim me kryebashkiakun Mziu, synojnë që të ndërtojnë një skuadër të fortë e konkurruese në Kategorinë Superiore, në mënyrë që Kamza të mos jetë kalimtare në elitë.

Kamza

Për ta bërë realitet këtë synim, kërkohet që në ekip të afrohen lojtarë cilësorë, që e njohin dhe dinë ta përballojnë sezonin në Superiore. Janë disa futbollistë që pritet të nënshkruajnë dhe bisedimet janë në faza të avancuara. Vazhdojnë përpjekjet për të gjetur një portier, për të konkurruar “gardianin” aktual. Prej kohësh drejtuesit janë në bisedime me Argent Halilaj, ku u fol edhe për një akord mes palëve, por marrëveshja nuk është finalizuar për shkak të financave. Mendohet se brenda dy-tre ditëve, palët do të gjejnë edhe akordin financiar, në mënyrë që Halilaj të jetë një nga portierët e Kamzës në Superiore.

Po kështu, shumë pranë akordit me kamzalinjtë është edhe mesfushori shkatërrues, Alfred Zefi, që më herët ka luajtur me Laçin dhe në sezonin e fundit me Korabin. Me afrimin e Zefit shtohen alternativat dhe konkurrenca në mesfushë, pasi te Kamza sapo ka firmosur edhe mesfushori shkatërrues, Bruno Arrabal.

kamza

Përpos Halilajt dhe Zefit kamzalinjtë janë edhe shumë pranë finalizimit të marrëveshjes me mbrojtësin vlonjat Hektor Idrizaj, i cili është i lirë pas përfundimit të aventurës te Skënderbeu. Mbrojtësi vlonjat ka pasur këto ditë takime të shpeshta me drejtuesit e Kamzës, kështu që pritet vetëm nënshkrimi i kontratës.

rexhinaldo

Surpriza e merkatos së verës së Kamzës mendohet se do të jetë ish-sulmuesi i Luftëtarit, Arturo Rexhinaldo. Thuhet se drejtuesit prej ditësh kanë nisur kontaktet me përfaqësuesin e lojtarit dhe parimisht ka një akord mes palëve. Përpos punës së drejtuesve në merkato, skuadra nën drejtimin e trajnerit Ndreu, po përgatitet me intensitet të lartë.

Për sot ishte paralajmëruar që të zhvillohej një miqësore me Laçin, por ajo është shtyrë. Drejtuesit e Kamzës kanë menduar që ndeshjen ta shtyjnë për në fundjavë, pasi nuk e kanë akoma gati ekipin.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"