Ka 7 mungesa, por trajneri Dalipi kërkon sforco nga Lushnja: Një fitore s’na nxjerr nga kriza, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2023 | 10:20

Ka 7 mungesa, por trajneri Dalipi kërkon sforco nga Lushnja: Një fitore s’na nxjerr nga kriza, por…

Klevis Dalipi “qan” mungesat para Besës. Në një situatë kur i duhen pikët, duhet të bëjë llogaritë me të pezulluarit dhe të dëmtuarit. Zyrtarisht Canka, Selita dhe Haxhiu janë të skualifikuar prej kartonëve, ndërsa në infermieri është shtuar edhe Gjyla, veç Andonit, Doksanit e Alushit. E megjithatë, trajneri beson te pikët. Ai pret që lojtarët, të cilët do të jenë në fushë të japin maksimumin dhe shtojnë shpresat për ta shpëtuar këtë sezon.

Klevis Dalipi

“Kanë qenë dy javë të ngarkuara fizikisht. U munduam të rikuperojmë të dëmtuarit, por na u shtua edhe Gjyla. Llogaritë vështirësohen, kur janë edhe tre të pezulluar për arsye kartonësh. Sidoqoftë, do të bëjmë çmos që të mos ndihen mungesat e lojtarëve me peshë. Ndeshja me Besën është shumë e vështirë. Është një nga skuadrat që luan futbollin më të bukur në Kategorinë e Parë. Ka elementë të rinj që premtojnë. Ka bërë mirë deri tani. Megjithatë, ne jemi të dënuar dhe do të luftojmë për tri pikë. Luajmë për mbijetesën dhe e lehtë nuk do të jetë, por ua kam bërë me dije futbollistëve që duhet të dimë të vuajmë… Të jemi shumë të kujdesshëm edhe në menaxhimin e situatave apo emocioneve të lojës. Dihet që në ndeshjet brenda, skuadra ka edhe trysni. Që në marrjen e rezultatit, le të themi, mund të bëjë gabime, që quhen normale në futbollin tonë. Këto dy javë na kanë dhënë mundësinë, që të përgatisim një ndeshje të vështirë si kjo me Besën”, tha fillimisht Dalipi, gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”.

Lushnja ka 7 mungesa të konfirmuara, një pjesë e të cilave me peshë.

“Mungesat janë të rëndësishme. Kemi Haxhiun, Selitën, që kanë luajtur mirë dhe kanë plotësuar gjithë fashën e majtë. Duhet theksuar mungesa e Cankës, që është vendimtare për ne. Duke qenë se është një lojtar kyç. Së bashku me Pepën, përbëjnë vijën e sulmit. Në të tilla ndeshje nevojitet shumë eksperienca e tij”, tha tekniku, i cili i mëshon edhe një herë rëndësisë që ka një fitore për mbijetesën.

“Fitorja me Besën, nuk besoj që do të na nxirrte nga kriza. Na nevojiten shumë pikë, për të qenë të shpëtuar. Janë edhe pesë finale të tjera pas kësaj. Por kjo me Besën është shumë vendimtare për vazhdimësinë. Duhet të fitosh këtë që të parallogaritësh se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Duke qenë se kemi dy transferta radhazi, të vështira më pas. Prandaj, theks të veçantë në këtë ndeshje shumë delikate dhe për të luftuar për marrjen e tri pikëve. Uroj që skuadra të jetë e qetë, të bëjë mirë brenda fushës, për të qenë besimplotë”, deklaroi tekniku i lushnjarëve, Klevis Dalipi.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"