Ka 5 mungesa, Gjyla nxeh “mbushësit e topit”: Të më vërtetojnë të kundërtën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2019 | 11:45

Ka 5 mungesa, Gjyla nxeh “mbushësit e topit”: Të më vërtetojnë të kundërtën

Edhe Lushnja ka kaluar ditë të paza konta pas tërmetit të 26 nëntorit, por tashmë që është afruar ndeshja me Shënkollin, është rikthyer atmosfera sportive. Trajneri i kësaj skuadre, Ilir Gjyla, për “Panorama Sport” komenton fillimisht situatën e vështirë të ditëve të fundit.

gjyla

“Jo vetëm mua, por çdo njeri e ka prekur situata e fundit. Për më tepër, ne kishim dhe një futbollist që ishte në mes të lagjes më të goditur nga tërmeti, te Këneta, prapa stadiumit të Durrësit ishte banesa e Ibrahimllarit. E kam pyetur çdo ditë në sytë e djemve se ishin të vrarë nga kjo që ndodhi, si të gjithë shqiptarët. Kemi qenë të pikëlluar nga ato që dëgjonim dhe shikonim. E lamë skuadrën dy ditë pushim, sepse nuk shkonte ndryshe, do të ishte një stërvitje mekanike. Megjithatë, jeta vazhdon dhe ne jemi stërvitur, edhe pse jo si gjithmonë”, është shprehur trajneri Gjyla.

lushnja

MUNGESAT 

Për ndeshjen e radhës me Shënkollin Lushnja ka disa mungesa dhe është në kushtet e emergjencës. “Ne po mundohemi duke punuar më shumë në anën psikologjike. Deri diku e kemi arritur, megjithatë qenkemi pa fat, sepse kemi të tjera dëmtime përveç atij të Sefës. Për ndeshjen e radhës jemi me shumë mungesa në formacionin bazë, jemi pa Ruçon, Ervis Gjylën, Alushin, Monen dhe Sefën. Kemi shumë dëmtime, por nuk do të thotë se jemi dorëzuar. Duke qenë se rivalët ishin afër me ne, një humbje na bëri të zbrisnim poshtë, por jemi vetëm një pikë larg vendit të parë. Nuk mund të thuash se rrëshqitja jonë ka shkuar në fund. Do të mundohemi të mos vazhdojmë kështu, sepse nëse biem më poshtë do të jetë alarm. Edhe skuadrat e mëdha e pësojnë dhe nuk ka problem. E rëndësishme është të ringrihemi ose minimalisht të mos lejojmë të biem më poshtë”, deklaroi më tej trajneri lushnjar.

lushnja

SHËNKOLLI

Në fund, trajneri i Lushnjës foli edhe për ndeshjen e nesërme me Shënkollin, duke parë edhe si provë për lojtarët alternativë. “Thashë që kemi 6 mungesa nga formacioni bazë, por kemi shanset tona me Shënkollin. Shkojmë të luajmë atje dhe të tregojmë se jemi Lushnja që pretendon Superioren. Kjo ndeshje është edhe një provë për futbollistët që kanë qenë në stol. Ndoshta nuk kanë luajtur dhe u erdhi radha të tregojnë veten. Të luajnë dhe ta fitojnë ndeshjen, duke e mbajtur Lushnjën lart, sepse skuadra nuk ka vetëm 15 futbollistë, por 25. Kam thënë që 10-shja tjetër janë mbushës topi dhe nuk më hiqet nga mëndja. Le të më kundërshtojnë këtë javë, le të më vërtetojnë të kundërtën”, përfundoi trajneri Gjyla.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"