Ka 3 vende bosh në skuadër, Dinamo vijon “gjuetinë” në… merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2022 | 14:19

Ka 3 vende bosh në skuadër, Dinamo vijon “gjuetinë” në… merkato

Dinamo bëri një merkato nga më të mirat gjatë verës.

DINAMO

U afruan lojtarë me shumë eksperiencë në Kategorinë e Parë dhe Superiore, po ashtu edhe disa të rinj të talentuar, të cilët iu bashkuan grupit të mbetur nga sezoni i kaluar.

Blutë e kryeqytetit, me aq sa kanë treguar edhe tri javët e para të kampionatit, duken të kompletuar dhe pritet të mos e vënë në diskutim rikthimin në elitë, por klubi nuk kënaqet me kaq.

Shpesh në deklaratat e tij, presidenti Adrian Bardhi ka theksuar se po mendohet dhe punohet fort për një të ardhme të madhe të Dinamos.

Gazeta, ndërkohë, mëson se drejtuesit e klubit blu vazhdojnë të ndjekin lojtarë, të cilët mund t’i shërbejnë Dinamos në të ardhmen, por edhe tani në Kategorinë e Parë.

“GJUETIA” – Jo më kot në listën e federimeve që është dorëzuar në FSHF, janë lënë tri vende bosh.

Kjo do të thotë se nëse drejtuesit e Dinamos gjejnë ndonjë element cilësor që është pa kontratë aktualisht, mund ta federojnë atë që tani.

Burime të gazetës pranë klubit kryeqytetas bëjnë me dije se aktualisht ka pasur kontakte me një mbrojtës të huaj, por nuk jepen detaje të tjera, pasi gjithçka është në fazë bisedimesh.

Gjasat janë që me blutë të bashkohet ndonjë lojtar i ri para janarit, kur është edhe sesioni i radhës në merkato.

Qëllimi është që blutë të mos bëjnë një tjetër revolucion në grupin e lojtarëve verën e ardhshme, pasi të kenë siguruar Superioren.

“Gjuetia” vazhdon dhe së shpejti mund të ketë ndonjë surprizë.

MARKU – Një blerje e rëndësishme për Dinamon e së ardhmes është bërë që verën që lamë pas.

Klubi kryeqytetas bleu kartonin e Albion Markut, mbrojtësit të Kombëtares U-21, që më pas u huazua te Teuta, bashkë me mesfushorin Devid Fejzulla.

Në anën tjetër, Dinamo do të humbasë shërbimet e një titullari me kualitet, siç është portieri Simoni, i cili pritet të shitet ndoshta që në janar.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"